Rreziqet nga Serbia, Osmani: Bashkë me aleatët do ti ndalim
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani siguroi popullin e Kosovës se do ta ndalin çdo lloj kërcënimi që vjen nga Serbia.
“Grupet kriminale po vazhdojnë trajnimet e tyre dhe përgatitjet e tyre dhe riorganizimet e tyre brenda territorit të Serbisë, nuk thash që ata nuk po përgatiten të sulmojnë, thash që do t’i ndalim. Prandaj qytetarët duhet të jenë të qetë, jo pse Serbia nuk e synon të keqen, por sepse ne së bashku me aleatët tanë do t’i ndalim. Nuk do të lejojmë që ata ta rrezikojnë Kosovën dhe t’i rrezikojnë qytetarët e saj”, tha Osmani.
Presidentja tha se nuk është duke u paralajmëruar luftë në Kosovë.
“Nuk është që ne po kontribuojmë për përshkallëzim. Është Serbia që po përgatitet vetëm për skenarë të këqij, sepse ata mendojnë se është në interes të tyre të destabilizohet gjithë rajoni. Kështu që është një detyrë e jona që të ngritet përgatitja për parandalimin e sulmeve të tilla, që shpeshherë të tregojmë se cila është situata në realitet në mënyrë që të gjithë ta rrisim nivelin e përgatitjeve përfshirë edhe partnerët që na ndihmojnë në këtë drejtim, pra është masë parandaluese”, tha Osmani, duke shtuar se paralajmërimet kanë për qëllim që të rrisin nivelin e gatishmërisë.
Sipas saj situata në Ballkan u duket më e qetë. Ajo përmendi situatën para 24 shtatorit, kur i njoftonin ndërkombëtarët për atë që po planifikonte Serbia.
“Para 24 shtatorit kur ne shpeshherë i informonim se çfarë po planifikonte Serbia na thonin, nuk është Vuçiqi aq i çmendur që të bëjë diçka të tillë. Pasi ndodhi filluan ta shohin me një sy tjetër”, tha Osmani.
Ajo tha se institucionet e Kosovës kanë pasur informata për kontrabandim të armëve para sulmit të 24 shtatorit dhe për trajnimin e grupeve.
“Aq shumë Serbia ka bërë blof gjatë këtyre dy dekadave … Deri në sulmin e 24 shtatorit shumica kanë menduar që Serbia e ka thjesht blof për të përfituar më shumë te pjesa e dialogut, ose për të përfituar projekte shtesë nga BE. Një prej kartave që Vuçiqi përdor, është kërcënimi me dhunë, ‘ma jepni edhe këtë përfitim në qoftë se nuk dëshironi të përdor dhunë’”, tha Osmani.
Ajo foli për marrëveshjen që ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nënshkroi me NATO-n.
Osmani tha se sipas atij dokumenti FSK para se të shkojë në veri duhet të marrë leje nga NATO, pra sipas saj nuk është ndalim për të shkuar, por procedurë.
“Të them sinqerisht FSK e ka respektuar këtë marrëveshje sepse nuk ka pasur nevojë për angazhim në veri deri tani megjithatë ajo marrëveshje është nënshkruar duke supozuar kohë paqeje pra duke supozuar që nuk ka ndonjë sulm nga ana e Serbisë”, tha Osmani
Më tej Osmani tha se në sulmin e 24 shtatorit nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje të FSK-së, pasi që sipas saj është kryer puna mirë nga policia e Kosovës.
“Atë ditë policia jonë ka bërë një punë të shkëlqyeshme e po ashtu NATO-ja ka qenë aty e angazhuar për të ndihmuar dhe përkrahur policinë e Kosovës në çdo cep të Kosovës”, tha Osmani.
“Ne kemi diskutuar me NATO-n që të sigurohemi që të parandalohet sulmi nga Serbia që do të mund të eskalonte në konflikt. Marrëveshja [e Thaçit me NATO-n] është nënshkruar duke supozuar në kohë paqeje, por unë jam e bindur se nuk do të vijë deri te një pikë e tillë pikërisht për shkak të profesionalizimit të policisë”, deklaroi Osmani./rtv21