Rreth 260 mijë armë ilegale, propozohet mbështetje financiare për ata që e dorëzojnë

Rreth 260 mijë armë ilegale, propozohet mbështetje financiare për ata që e dorëzojnë

Vrasje, sulme e kërcënimet me armë nuk kanë të ndalur muajt e fundit në Kosovë. E numri i armëve pa leje llogaritet të jetë i madh në duart e qytetarëve të Kosovës.

Policia e Kosovës vetëm nga janari e deri në korrik ka konfiskuar 814 armë të ndryshme ilegale, ndërsa gjatë vitit 2023, ka konfiskuar 1392 armë ilegale.

Sipas ekspertit të sigurisë, Nuredin Ibishi mënyra më e mirë për dorëzimin e armëve, është që institucionet e sigurisë në kompensim t’u japin mjete financiare. Sipas tij, mund të jenë fonde edhe nga organizata ndërkombëtare.

Ibishi ka thënë për KosovaPress se në baza vjetore Policia e Kosovës konfiskon rreth 1500 armë të ndryshme ilegale. Ndërsa në posedim janë diku rreth 260 mijë armë të ndryshme.

Ndërsa, PK në një përgjigje me shkrim ka theksuar se ka punuar në vazhdimësi për parandalimin dhe konfiskimin e armëve ilegale, duke bërë fushata dhe apele të ndryshme për mospërdorim të armëve të zjarrit.

‘’Policia e Kosovës përmes planeve të saja në vazhdimësi ka punuar për parandalimin dhe konfiskimin e armëve ilegale, si dhe ka bërë fushata dhe apele të ndryshme për mospërdorim të armëve të zjarrit. Gjatë periudhës janar- korrik 2024, janë konfiskuar 814 armë të ndryshme; Gjatë vitit 2023, janë konfiskuar 1392 armë të ndryshme dhe gjatë vitit 2022, janë konfiskuar 1473 armë të ndryshme’’, është përgjigjur PK.

KP ka dërguar disa pyetje edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërkaq, më 2 shtator 100 plumba janë shkrepur në lagjen ‘’Aktash’’ të Prishtinës, ku si pasojë mbeti i vrarë Pajtim Gashi gjatë konfliktit mes dy familjeve, Sekiraqët dhe Capat.

E vetëm dy ditë pas vrasjes, në po të njëjtën lagje, u kërcënua me armë punëtori i një lokali.