Rrëfimi i Astrit Haraqisë: 100 mijë protestues bërtisnin UÇK
Politikani Astrit Haraqija ka folur në Rubikon mbi angazhimin e tij në politikë në vitet e 90-ta.
Haraqija kujtoi anëtarësimin e tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe pastaj zgjedhjen si kryetar i forumit rinor të LDK-së.
“Profesori Bardhyl Çaushi më tha t’i do të vish në parti. Ata më bindën dhe pas gjashtë muajsh u mbajtën zgjedhjet e forumit rinor dhe u zgjodha kryetar dhe i thash prindit nga sot mos llogarit më në mu, i ke edhe dy djem të tjerë, dhe nga ajo ditë jam kyç 100 përqind në LDK në çdo aspekt”, tha Haraqija në Rubikon të Klan Kosovës.
Haraqija tutje foli për kontaktet e tij të para si anëtar i LDK-së me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe organizimin e protestave në Gjakovë pas rënies së Jasharajve dhe masakrave në Likoshan e Qirez.
“Në vitin 1997 pas rastit së familjes Jashari, prej forumit rinor në qendër me 22 janar kur u plagos Adem Jashari, kanë shkuar Ilir Salihi, Izet Sadiku, Besnik Osmani më duket edhe Naim Jerliu me vizitu çka kanë nevojë. Pastaj ndodhi rasti Likoshan dhe Qirez, dhe shkuam si pjesë e forumit rinor i LDK-së morëm pjesë në varrim. Pas Qirezit dhe Jasharajve i kemi organizuar protestat ku kanë qenë mbi 100 mijë vetë”, tha Haraqija.
Haraqija tha se organizimi i protestave kundër krimeve të Jugosllavisë kishte bërë që ai të ftohej nga shërbimi sekret serb që në atë kohë quhej UDB, të cilët e kishin sulmuar fizikisht dhe e kishin kërcënuar me vrasje.
“Si kam hy ka fillu shefi i UDB-së me më rreh, veç të parën goditje e kam ni. Mbas dy orësh më kanë thënë fol, kam thënë pa u ndalë dhuna nuk flas. Më thanë nëse bën shëtitje sonte kemi me të vra në qendër. Unë prapë i vazhdova protestat, më sulmuan me kerr, unë kërceva nga një urë, prapë më kapën, pesë ditë me radhë më kanë rrehë ” tha Haraqija.