Rohde thotë se është i shqetësuar nga vonesat në formimin e institucioneve

Rohde thotë se është i shqetësuar nga vonesat në formimin e institucioneve

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë të mërkurën se ia ka shprehur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, shqetësimin e tij në rritje me vonesat në formimin e institucioneve të reja në Kosovë.

Gati tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova ende nuk i ka formuar institucionet e saj, për shkak të mospajtimeve mes disa prej partive më të mëdha parlamentare për postin e kryetarit të Kuvendit.

Në një reagim në rrjetin social Bluesky, Rohde tha se partitë politike në Kosovë duhet të veprojnë shpejt për formimin e institucioneve dhe duhet t’i shohin interesat shtetërore para atyre partiake.

“Në peizazhin e sotëm global që po ndryshon me shpejtësi, veprimet e shpejta janë të domosdoshme dhe çështjet shtetërore duhet gjithmonë të vihen para politikave partiake”, shkroi Rohde.

Konstituimi i Kuvendit – i nisur më 15 prill – ka dështuar tetë herë radhazi deri tani, për shkak se partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme prej 61 për kandidaten e saj për kryetare, Albulena Haxhiu.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.

Vetëvendosje i ka 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës dhe Haxhiu deri tani i ka marrë 57 vota më së shumti.