
Rizvanolli mohon importin e energjisë nga Serbia: S’ka tregti me ta që nga viti 2020
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar ashpër ndaj raportimeve se Kosova po importon energji elektrike nga Serbia, duke i quajtur këto lajme të pavërteta dhe të bazuara në keqinterpretim të të dhënave.
“STOP DEZINFORMIMIT! Ajo që po quhet ‘import’ i energjisë nga Serbia, duke u mbështetur në rrjedhat fizike të energjisë, ose është dezinformatë e qëllimshme, ose thjesht mungesë dijeje – por në asnjë mënyrë nuk është e vërtetë”, deklaroi Rizvanolli në një postim në Facebook.
Njoftimi i plotë:
🛑 STOP DEZINFORMIMIT
Ajo që po quhet “import” i energjisë nga Serbia duke përdororur të dhëna të rrjedhave FIZIKE të energjisë mund të jetë ose DEZINFORMATË e qëllimshme ose veç PADITURI, por në asnjë mënyrë nuk është e vërtetë.
Serbia ka bllokuar tregtimin në linjat Kosovë-Serbi që nga pavarësimi energjetik i Kosovës më 2020. Ky është edhe një prej faktorëve kyçë që shpesh çon në ngarkesë të tepërt (kongjestion) në linjat mes Malit të Zi e Kosovës dhe mes Maqedonisë së Veriut e Kosovës.
Lus të gjithë që deklarohen dhe publikojnë “informata” e “lajme” në lidhje me sektorin e energjisë që të informohen saktë paraprakisht!