Revista ‘Time’ shpall Trumpin person të vitit përsëri

Revista ‘Time’ shpall Trumpin person të vitit përsëri

Revista ‘Time’ e ka shpallur presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, person të vitit për herë të dytë të enjten.

Ky nderim i është bërë Trumpit pas rikthimit të tij të jashtëzakonshëm nga një ish-president që nuk e pranonte humbjen në zgjedhje katër vjet më parë, në një president të zgjedhur që i fitoi bindshëm zgjedhjet e nëntorit për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë, shkruan Rel.

Sam Jacobs, kryeredaktori i ‘Time’-s, njoftoi në NBC se Trumpi është shpallur personi i vitit 2024 nga kjo revistë. Jacobs tha se Trumpi është dikush që “për të mirë apo për të keq, ka pasur më së shumti ndikim në lajme në vitin 2024”.

“Ai është një person që bëri rikthim historik, i cili e ndryshoi presidencën amerikane dhe po i ndryshon politikat amerikane. Është e vështirë të argumentosh kundër faktit se personi që po kthehet në Zyrën Ovale nuk është personi më me ndikim në lajme”, tha Jacobs.

Trump ishte shpallur person i vitit për herë të parë në vitin 2016, pasi i kishte fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Jacobs shtoi se “gjithmonë ka debat të nxehtë” në revistë për këtë çmim “edhe pse më duhet ta pranoj se këtë vit vendimi ishte më i lehtë se në vitet e kaluara”.

Trump i mposhti në garë për çmimin e sivjetshëm persona të tjerë të famshëm si, nënpresidenten Kamala Harris, pronarin e X-it, Elon Musk, kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe Princeshën e Uellsit, Kate.