“Reuters”: Vetëm një gjë mund ta shtyjë kundërpërgjigjen e Iranit ndaj Izraelit

“Reuters”: Vetëm një gjë mund ta shtyjë kundërpërgjigjen e Iranit ndaj Izraelit

Vetëm një armëpushim në Gaza, që do të dilte nga bisedimet që shpresohet të mbahen këtë javë, do ta sprapste Iranin nga hakmarrja e drejtpërdrejtë kundër Izraelit për vrasjen e kreut të byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në tokën iraniane, thanë tre zyrtarë të lartë iranianë.

Irani është zotuar për një kundërpërgjigje të ashpër për vrasjen e figurës së lartë të Hamasit, që ndodhi gjatë vizitës së Haniyeh-ut në Teheran muajin e kaluar dhe për të cilën Irani e fajësoi Izraelin. Izraeli as nuk e ka konfirmuar, as nuk e ka mohuar përfshirjen. Forcat detare amerikane kanë dislokuar luftanije dhe një nëndetëse në Lindje të Mesme për ta fuqizuar mbrojtjen e Izraelit, raporton agjencia “Reuters”.

Njëri nga burimet, zyrtar i lartë iranian i sigurisë, tha se vendi i tij, bashkë me aleatët si Hezbollahu, do të nisë një sulm të drejtpërdrejtë, nëse bisedimet për Gazën dështojnë ose nëse percepton që Izraeli është duke i zvarritur ato. Burimet nuk treguan se sa do të presë Irani që të shënohet përparim në bisedime para se të kundërpërgjigjet.

Në disa komente të publikuara të martën, ambasadori amerikan në Turqi konfirmoi se Uashingtoni po kërkonte nga aleatët që të ofronin ndihmë për ta bindur Iranin që t’i ulë tensionet. Tri burime rajonale qeveritare i përshkruan bisedat me Teheranin për ta shmangur eskalimin para bisedimeve për armëpushim në Gaza, që pritet të fillojnë të enjten në Egjipt ose Katar.

“Ne shpresojmë që kundërpërgjigjja jonë do të jetë me kohë dhe e ekzekutuar në një mënyrë që nuk dëmton një armëpushim potencial” – tha në një deklaratë të premten misioni i Iranit në OKB. Ministria e Jashtme e Iranit tha se thirrjet për të ushtruar përmbajtje “bien ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare”.

Ministria e Jashtme e Iranit dhe Rojat Revolucionare nuk iu përgjigjën menjëherë pyetjeve për këtë artikull. Zyra e kryeministrit izraelit dhe Departamenti i Shtetit i ShBA-së gjithashtu nuk iu përgjigjën pyetjeve.

“Diçka mund të ndodhë këtë javë nga Irani dhe prokurat e tij… Ky është një vlerësim i ShBA-së si dhe një vlerësim izraelit” – tha të hënën zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby./Nacionale/