Republika Sërpska miraton raport që e mohon gjenocidin në Srebrenicë

Republika Sërpska miraton raport që e mohon gjenocidin në Srebrenicë

Parlamenti i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë e ka miratuar të enjten një raport, i cili thekson se vrasja e 8.000 myslimanëve në Srebrenicë gjatë luftës së Bosnjës, nuk përbën gjenocid.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli gjenocid krimin në Srebrenicë, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, presidenti nacionalist i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, tha para ligjvënësve se “nuk ka ndodhur gjenocid, prandaj një cilësim i tillë duket të hidhet poshtë”.

“Serbët nuk kanë kryer gjenocid”, shtoi ai.

Ky vendim u mor në një kohë kur Serbia dhe Republika Sërpska janë duke bërë fushatë kundër një draft-rezolute, e cila është duke u diskutuar në Kombet e Bashkuara për ta shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet ta votojë në fillim të majit këtë draft-rezolutë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha javën e kaluar se Serbia do të luftojë kundër miratimit të kësaj rezolute në OKB, e cila do t’i fajësonte serbët. Ai druhet se rezoluta mund të krijojë bazën për boshnjakët që të kërkojnë dëmshpërblim lufte nga Serbia, aleatja e serbëve të Bosnjës gjatë luftës.

Rezoluta është pjesërisht e ngjashme me rezolutën për gjenocidin e Ruandës, ku rreth 800.000 tutsi dhe hutu ishin vrarë. Drafti i saj është zhvilluar nga një grup vendesh, përfshirë Ruandën, Gjermaninë, Francën dhe Shtetet e Bashkuara. /Rel