Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Arabisë Saudite nënshkruajnë marrëveshje doganore

Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Arabisë Saudite nënshkruajnë marrëveshje doganore

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se sot kishte nderin që në emër të Republikës së Kosovës të nënshkruajë marrëveshjen për bashkëpunim doganor me ministrin e Financave të Arabisë Saudite, Mohammed Al Jadaan.

“Marrëveshjen e nënshkruam në ceremoninë hapëse të Konferencës Ndërkombëtare për Zekatin, Tatimin dhe Doganat 2024, ku po marrim pjesë bashkë me Drejtorin e Doganave z. Agron Llugaliu dhe atasheun doganor z. Bekim Mehmetaj”, ka shkruar Murati në Facebook.

Thotë se kjo marrëveshje, që adreson çështjet doganore dhe është në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, përfaqëson një hap të madh përpara në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona. “Duke përafruar bashkëpunimin tonë shumë dimensional në fushën e Doganave, marrëveshja do të kontribuojë në lehtësimin e tregtisë, përmirësimin e sigurisë dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik”.

“Republika e Kosovës vazhdon të ndërtojë partneritete që sjellin përfitime të prekshme për ekonominë dhe qytetarët tanë, dhe njëkohësisht forcojnë lidhjet tona me shtetet mike”, ka deklaruar Murati.