Rektori Arben Hajrullahu nis punën me premtimin për transparencë

Rektori Arben Hajrullahu nis punën me premtimin për transparencë

Rektori Arben Hajrullahu ka nisur punën në krye të Universitetit të Prishtinës duke u zotuar për llogaridhënie dhe transparencë.

Pranim-dorëzimi i detyrës është bërë nga Qerim Qerimi që drejtoi UP-në nga viti 2022 deri ditën e sotme, 1 tetor 2024.

Të pranishëm në pranim-dorëzimin e detyrës ishin edhe prorektorët e rinj të zgjedhur nga profesor Hajrullahu.

Ish-rektori Qerimi i uroi shumë suksese rektorit të ri, duke ia kujtuar se suksesi i tij është sukses i Universitetit të Prishtinës.

Prof. dr. Arben Hajrullahu, mësimdhënës në Fakultetin Filozofik, u zgjodh rektor në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës të mbajtur më 7 gusht 2024.

Pas fillimit të studimeve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1994, Arben Hajrullahu vazhdoi studimet në Universitetin e Gracit dhe në Universitetin e Vjenës ku edhe doktoroi në vitin 2005. Ngritja e tij akademike është bërë në fushën e shkencës politike dhe ka një përvojë mbi njëzetvjeçare pune në Universitetin e Prishtinës.

Hajrullahu ka publikuar punime shkencore kryesisht për integrimet evropiane dhe është angazhuar edhe për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në Ballkan e përtej.

Me ekipin e prorektorëve: Albana Berisha-Qehaja, Avni Hajdari, Naim Jerliu e Rozafa Basha, ai synon ta sjellë në Universitetin e Prishtinës saktësinë, punën dhe përvojën e fituar nëpër institucionet akademike gjermane e anglofone.

Rektori Hajrullahu ka mandat të drejtojë Universitetin e Prishtinës deri më 15 shtator 2028.