Reali e Barca “po peshkojnë” në Liverpool

Reali e Barca “po peshkojnë” në Liverpool

Interesimi i Real Madridit për të nënshkruar me Trent Alexander-Arnold, tashmë është pothuajse zyrtar.

Është përfolur tash e një kohë se “Mbretërit” janë të interesuar të blejnë shërbimet e mbrojtësit anglez të Liverpoolit, por ditëve të fundit u raportua se ata veçse kanë dërguar një ofertë për të.

Reali u raportua se ka ofruar 20 milionë euro për Alexander-Arnold në mënyrë që ai të kalojë në Spanjë gjatë afatit kalimtar të janarit. Por, Liverpooli u raportua se e ka refuzuar këtë ofertë.

Megjithatë, spanjollët janë fort të interesuar për të, saqë po tentojnë të nënshkruajnë një parakontratë me 26-vjeçarin për një kalim të lirë gjatë verës, dhe kjo, sipas “Relevo”, nga frika se mbrojtësi anglez mund të ndryshojë mendje.

Liverpooli, nga ana tjetër, është i interesuar që të mbajë Alexander-Arnoldin së paku deri në fund të këtij sezoni.

Edhe klubi tjetër i madh spanjoll Barcelona e ka hedhur grepin në “Anfield”.

Raportohet se drejtori sportiv i klubit, Deco, është shumë i interesuar për shërbimet e sulmuesit kolumbian të Liverpoolit, Luis Diaz. Sipas medias spanjolle “Sport”, mundësia që ky i fundit të kalojë në Spanjë është e madhe pasi thuhet se 27-vjeçari është i palumtur nga fakti se ende nuk kanë nisur bisedimet për një kontratë të përmirësuar në Anfield.

Mirëpo, kjo është vështirë se do të arrihet nga fakti se Barcelona ka probleme financiare saqë nuk po arrin ta regjistrojë as lojtarin që e bleu verën e kaluar, Dani Olmo.

Gjithashtu, po raportohet se edhe për shërbimet e super-yllit të Liverpoolit, Mohamed Salah, ka shprehur interesim serioz skuadra franceze, PSG. /Klankosova.tv