Rasti “Subvencionet 4”, Apeli vërteton dënimin me burg dhe gjobë për dy të akuzuarit
Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve në rastin “Subvencionet 4”, Gjon Musolli dhe Halit Berisha, ndërsa vërtetoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin dy të akuzuarit u dënuan (së bashku) me dënim unik prej 3 vjet e gjysmë burgim dhe 7 mijë euro gjobë.
Gjykata Themelore në Prishtinë me aktgjykimin e 13 marsit 2024, Musollin e dënoi me dënim unik prej 2 vjet e 6 muaj burgim dhe 4 mijë euro gjobë, Kurse Berishën me dënim unik me 1 vit burgim dhe 3 mijë euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndaj vendimit të Themelores, ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Musolli për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, me propozim që Gjykata e Apelit aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë dhe të akuzuarit t’i shqiptojë dënim me kusht.
Edhe mbrojtësi i Berishës kishte ushtruar ankesë për shkak të vendimit mbi sanksionin penale, me propozim që Apeli aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë, ashtu që Berishës t’ia zbusë dënimin në 6 muaj burgim, me arsyetimin se do të jetë real dhe i mjaftueshëm.
Kurse, Prokuroria e Apelit ka propozuar që të refuzohen ankesat e mbrojtjes, ndërsa të vërtetohet aktgjykimi i Themelores.
Gjykata e Apelit përmes vendimit të përpiluar më 28 gusht 2024, vlerësoi se edhe pse aktgjykimi i shkallës së parë nuk mund të ankimohet për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, megjithatë e shqyrtoi sipas detyrës zyrtare dhe gjeti se nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e as shkelje të tjera të cilat detyrimisht do të kushtëzonin prishjen e tij.
Në vendimin e Apelit, thuhet në ankesë nuk kontestohet as gjendja faktike të cilën e ka vërtetuar shkalla e parë, prandaj, as në këtë drejtim çështja nuk ka qenë objekt vlerësimi i kësaj Gjykate, e që përkitazi me këtë bazë ankimore nuk ka mundur të kontestohet ngase të akuzuarit e kishin pranuar fajësinë e që gjykata ua kishte aprovuar.
Lidhur me pretendimet ankimore për sanksionin penal, Apeli ka vlerësuar se pretendimet e mbrojtësve për një dënim më të butë janë të pabazuara.
Kolegji i Apelit thekson se Themelorja ka vlerësuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese në raport me të akuzuarit.
Për Musollin, si rrethanë rënduese është marrë shkalla e përgjegjësisë penale, e që rezulton se ai kishte vepruar me dashje direkte dhe faktin se veprat penale “Dhënie ryshfeti” dhe “Mashtrim me subvencione” i ka kryer në vazhdimësi. Kurse, rrethanë lehtësuese janë marrë rrethanat personale të të akuzuarit (fakti që është mbajtës i familjes), bashkëpunimi dhe sjellja korrekte me gjykatën dhe organet e ndjekjes penale dhe pendimin e thellë, faktin që më parë nuk ka rënë ndesh me ligjin, si dhe pranimin e fajësisë.
Shkrimin e plotë në Betimi për Drejtësi…