Raporti i plotë i policëve për rastin e 18-vjeçarit në Podujevë bie ndesh me raportin 24-orësh

Raporti i plotë i policëve për rastin e 18-vjeçarit në Podujevë bie ndesh me raportin 24-orësh

Rrahja e pamëshirshme nga E.K dhe A.A, kundrejt 18 vjeçarit Lulzim Fejzullahu, bëri që ky i fundit të mos mund t’iu bëjë ballë plagëve të marra, duke ndërruar jetë 6 ditë pas ngjarjes.

Incidenti që përfundoi me fatalitet për të riun nga Podujeva, ngjalli shumë reagime publike për mënyrën se si u trajtua nga organet e rendit.

Policia, në raportin 24-orësh, rastin e ka cilësuar si “Vrasje në tentativë”, ndërsa në përshkrimin e rastit, ka sqaruar kështu: “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therë me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”.

Ndërkaq, Klan Kosova ka siguruar raportin e plotë të policëve që kanë qenë në vendin e ngjarjes menjëherë pas rastit, më 14 janar.

Aty përshkruhet në detaje e gjithë ngjarja ku të përfshirë ishin tre persona.

Policia menjëherë pas marrjes së informatës, për vetëm dy minuta ka qenë e pranishme në vendngjarje.

“Më datën 14.01 2024 në orën 13:06 minuta, nga baza jemi ngarkuar me një informatë se një person është i shtrirë në rrugën ‘Jusuf Gërvalla’, ku menjëherë kemi vazhduar në atë lokacion dhe në vendin e ngjarjes kemi arritur në ora 13:08 ku e kemi takuar personin Lulzim Rrahman Fejzullahu DL 30.10.2005, i shtrirë e i gjakosur në fytyrë si dhe një mjet të mprehtë (thikë) në afërsi të tij, si dhe njolla gjaku në tokë ku personi ishte i shtrirë, si dhe disa persona në afërsi të tij të cilët kanë telefonuar policinë”, thuhet në hyrje të këtij raporti.

Policët, sipas këtij raporti, pasi i japin ndihmën e parë, njoftojnë bazën duke kërkuar asistim të organeve tjera mjekësore.

“Ne menjëherë kemi kontaktuar bazën dhe kemi njoftuar për gjendjen e personit dhe ta informojnë emergjencën, të vijë sa më shpejt të jetë e mundur si dhe i kemi dhënë ndihmën personit ku e kemi kthyer në pozitë rehabilituese dhe kemi tentuar të komunikojmë me personin, por i njëjti nuk na kthente përgjigje vetëm se merrte fryme dhe me zë të vogël thoshte ‘of’. Në ora 13:13 ka arritur Ambulanca në vendin e ngjarjes ku i kanë dhënë ndihmën e parë dhe kanë vazhduar në drejtim të Emergjencës për tretman të mëtutjeshëm ku fillimisht i kanë dhënë tretman në QKMF në Podujevë dhe më pas kanë vazhduar në QKUK në Prishtinë së bashku me një ekip të policisë”.

Sipas raportit, edhe kur u largua nga vendi i ngjarjes tashmë viktima Lulzim Fejzullahu, organet e rendit kanë vazhduar kërkimin në zbardhjen e plotë të rastit.

“Ne kemi vazhduar duke qëndruar në vendin e ngjarjes ku në ora 13:28 ka arritur njësia e hetuesisë dhe së bashku me ta jemi interesuar për rastin, ku kemi siguruar pamjet e kamerave të sigurisë nga një shtëpi në afërsi ku ka ndodhur rasti dhe pronari i shtëpisë na i ka dërguar pamjet e kamerave ku vërehet se një veturë VW Golf ngjyrë e zezë me targa …., ka ardhur me shpejtësi te viktima Lulzim Fejzullahu dhe e ka goditur Lulzimin me pjesën e përparme të anës së djathtë  të veturës dhe i njëjti është shtrirë në tokë dhe vërehet se Lulëzimi ka pasur një mjet të fortë (thikë) në dorë dhe më pas vërehet se nga vetura kanë dalë dy persona ku njëri kishte qenë me mjet të fortë në dorë dhe e kanë goditur disa herë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes”.

Pas kapjes, ata e rrëfyen për policinë versionin e tyre se si kishte ndodhur e gjithë ngjarja.

“Menjëherë e kemi njoftuar bazën për informatat e marra, që nëse shihet vetura të ndalohet. Më pas nga statiku në Emergjencë jemi njoftuar se edhe një person me emrin E.K i datëlindjes ….2006 ka pranuar tretman mjekësor. I njëjti pasi ka pranuar tretman mjekësor është shoqëruar në Stacionin Policor në Podujevë, ku edhe është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit. Vlen të ceket se personi ka deklaruar se pas një incidenti të mëparshëm të ditës së djeshme 13.01.2024 në një lokal frizeri në rrugën ‘Xhemajl Mustafa’ dhe ditës së sotme 14.01.2024 në rrugën ‘Xhemajl Mustafa’, janë takuar dhe janë fjalosur, ku sipas të dyshuarit, Lulzimi e ka goditur me thikë në këmbë dhe ky nga mllefi ka vazhduar me veturë dhe e ka gjetur diku një mjet të fortë dhe është kthyer te Lulzimi në rrugën ‘Jusuf Gërvalla’, ku e ka goditur me veturë dhe më pas me mjet të fortë. Si dhe deklaron se me të së bashku ka qenë edhe A.A. që ka dalë nga vetura dhe i ka ndihmuar”, u tha më tej në raportin e gjerë të policisë.

Më pas, janë njoftuar edhe Njësia e Hetuesisë Rajonale si dhe Forenzika Rajonale.

Në lidhje me rastin, në 13:45 është njoftuar edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, gjegjësisht prokurorja e rastit Fitore Sadikaj, e cila ka urdhëruar të iniciohet rast “Vrasje në tentativë”.

Tutje thuhet se edhe personi i dytë i dyshuar A.A është arrestuar dhe është intervistuar nga Njësia e hetimeve të përgjithshme.

Ndërkaq, pasi Njësia e Hetimeve të Përgjithshme (NjHP) e ka kuptuar se personat e dyshuar janë të mitur, është kontaktuar prokurori kujdestar për të mitur Fatmir Behrami, dhe i njëjti po ashtu urdhëron që të iniciohet rast “Vrasje në Tentative”.

“Rastit i bashkëngjitet edhe raporti mjekësor i personit E.K. Me rastin ka mbetur duke proceduar NJHP”, ka përfunduar raporti i Policisë i datës 14 janar, 2024.