Raporti i DASh-it, Haradinaj: Qeveria duhet të dorëhiqet

Raporti i DASh-it, Haradinaj: Qeveria duhet të dorëhiqet

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka komentuar raportin për Kosovën nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Haradinaj ka thënë se nuk ka qytetar të këtij vendi që sot nuk është i shqetësuar me gjetjet e këtij raporti.

“Vetëmashtrimi i Qeverisë duke krijuar tituj bombastik për fitoret e paqena kundër Serbisë e në raste të caktuara edhe kundër komunitetit ndërkombëtar, janë gënjeshtrat të cilave Qeveria ka filluar t’ju besojë edhe vetë. Raporti i Departmentit Amerikan të Shtetit për Kosovën është goditja më e fuqishme që demistifikon këtë kurs të mashtrimit. Nuk besoj që ka qytetar të këtij vendi që sot nuk është i shqetësuar me gjetjet e këtij raporti në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e shprehjes, lirisë së mediave si dhe të drejtave të njeriut e plot fusha të tjera”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka shtuar se në situatë normale ky raport i DASH-it do të duhej t’i shërbente Qeverisë për vetëreflektim, që sipas tyre nënkupton dorëheqjen e saj.

“Raporti i DASH-it është për vitin 2023 dhe nuk ka arritur të evidentojë edhe plot dështime të tjera, përfshirë këtu edhe qindra kontrata njëburimore në vlerë prej qindra milionë eurosh. Në një situatë normale ky raport i DASH-it do të duhej t’i shërbente Qeverisë për vetëreflektim, që nënkupton dorëheqjen e saj”, është shprehur Haradinaj.