“Raportet e mira Kosovë-Gjermani do të fuqizohen edhe më tej në të ardhmen”
Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës, udhëhequr nga kryetarja e Komisionit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka pritur të premten në takim një delegacion të Grupit të Evropës Juglindore të Parlamentit të Gjermanisë.
Kryetarja e Komisionit, Kryezu-Hyseni, e falënderoi delegacionin nga Gjermania për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka ofruar Kosovës, para dhe gjatë luftës, si dhe përkrahjen që është duke treguar gjatë procesit të shtetëndërtimit dhe integrimit të Kosovës.
Në vijim të takimit, u diskutua për një gamë të gjerë çështjesh, me qëllim të një koordinimi më të mirë ndërmjet të dyja vendeve, me theks të veçantë bashkëpunimi ndërparlamentar.
Kryetarja e Komisionit, Kryeziu-Hyseni, si dhe anëtarët e tjerë të komisionit, vlerësuan lartë angazhimet e Gjermanisë dhe përpjekjet e saj konkrete për integrimin e rajonit.
Lidhur me këtë u nënvizua angazhimi gjerman për Procesin e Ballkanit të Hapur, ide kjo që buron dhe përkrahet pa rezerva nga diplomacia gjermane.
Në emër të delegacionit gjerman foli, Josip Juratoviq, i cili vuri në spikamë miqësinë dhe bashkëpunimin ndërmjet të dyja vendeve.
Ai tha se Kosova dhe Gjermania kanë ndërtuar raporte të mira dhe miqësore, dhe vlerësoi po ashtu se, ato do të fuqizohen edhe më tej në të ardhmen.
Ndërkaq, duke iu referuar zhvillimeve të fundit në vendin tonë, Juratoviq u angazhua për një bashkëpunim më të ngushtë dhe konsultim paraprak.