
Ramosaj pret djemtë e shkollës fillore “Maxhun Çekaj”, ata arritën suksese në gara sportive
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka pritur në takim djemtë e shkollës fillore “Maxhun Çekaj” nga Irzniqi, të cilët gjatë vitit shkollor 2024/25 kanë arritur suksese të jashtëzakonshme në gara sportive, duke na bërë krenarë të gjithëve.
“Në garat komunale, ata fituan vendin e parë në ping pong, futboll, volejboll dhe hendboll. Nuk u ndalën me kaq, duke triumfuar edhe në garat regjionale ku arritën të zënë vendin e parë në ping pong, volejboll dhe hendboll”.
“Krenaria më e madhe erdhi në nivel republikan, ku ekipi i volejbollit doli kampion, duke përfaqësuar jo vetëm shkollën dhe komunën tonë, por edhe gjithë regjionin me dinjitet dhe sukses. Urime këtyre të rinjve të talentuar për rezultatet mbresëlënëse! Falënderim i veçantë për mësimdhënësit dhe stafin e shkollës për përkrahjen dhe përkushtimin e vazhdueshëm. Komuna e Deçanit është krenare me ju”, ka shkruar Ramosaj në Facebook.