Ramadani tregon se kur mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë

Ramadani tregon se kur mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Burim Ramadani, ka bërë me dije se zgjedhjet e rregullta mbahen midis 26 janarit dhe 16 shkurtit 2025.

“Në çfarëdo date më herët janë zgjedhje të parakohshme”, ka shkruar Ramadani në “Facebook”.

Ai ka paraqitur edhe faktet.

“1. Kuvendi i Kosovës (kjo Legjislaturë) u konstituua më 22 mars 2021.
Mandati fillon nga dita e konstituimit, që dmth mandati i kësaj Legjislature përfundon më 22 mars 2025 (Kushtetuta e Kosovës, Neni 66, paragrafi 1); 2. Zgjedhjet e rregullta mbahen më së voni 30 ditë para përfundimit të mandatit (Kushtetuta, Neni 66, paragrafi 2). Pra, më së voni më 16 shkurt 2025, sepse zgjedhjet duhet të mbahen në ditë të diel (Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, Neni 5, paragrafi 2); 3. Zgjedhjet (e rregullta) nuk mund të mbahen më herët se 60 ditë para përfundimit të mandatit (Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, Neni 5, paragrafi 2). Pra, zgjedhjet e rregullta nuk mund të mbahen para 26 janarit 2025”, ka theksuar Ramadani.

Ai thotë se kështu, zgjedhjet parlamentare para 26 janarit 2025 janë vetëm zgjedhje të parakohshme.

“Ndërsa, shpallja e zgjedhjeve të rregullta mund të bëhet midis 6 deri 4 muaj para datës së zgjedhjeve. Sa për ilustrim, nëse zgjedhjet do të mbaheshin më 26 janar 2025, atëherë shpallja zyrtare nga Presidentja mund të bëhet midis 26 korrikut dhe 26 shtatorit 2024”, ka deklaruar Ramadani.