Rama: Shqipëria në krah të presidentit Trump

Rama: Shqipëria në krah të presidentit Trump

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka reaguar pas sulmit të ShBA-së ndaj vendeve bërthamore të Iranit.

Rama, regjimin iranian e cilësoi jo thjesht si një shtet tjetër me ambicie bërthamore apo diktatoriale, por si një teokraci unike, e rrezikshme dhe e pajisur me retorikë apokaliptike.

“Nuk kemi të bëjmë me një shtet bërthamor si gjithë të tjerët. As me një diktaturë që synon armët bërthamore. Bëhet fjalë për një teokraci – e armatosur me një gjuhë që predikon shkatërrimin, e mbrujtur prej dekadash me propagandë që e shpall botën e lirë si ‘satanike’ dhe që kërkon hapur zhdukjen e saj”, tha Rama.

Tutje, ai theksoi se regjimi në Teheran, po bën një devijim të rrallë në historinë e shteteve të armatosura bërthamore, duke theksuar se nuk mund të krahasohet me asnjë vend tjetër, pavarësisht sistemit politik që ka.

Në këtë kontekst, shefi i qeverisë shqiptare theksoi qëndrimin e Shqipërisë si një shtet që ka dalë nga errësira e një regjimi ateist brutal dhe që sot është krenarisht pjesë e botës së lirë, si dhe partner strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Shqipëria qëndron plotësisht në krah të përpjekjeve të Presidentit Trump për të parandaluar që regjimi teokratik në Teheran të zotërojë ndonjëherë armë bërthamore,” deklaroi ai.