Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për sfidat e integrimit evropian të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjatë një interviste me gazetaren Maria Tadeo, në kuadër të samitit “Euronews Enlargement Summit”.
Rama u ndal te marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën dhe Bashkimin Evropian, si dhe te perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë, duke theksuar se objektivi i qeverisë është përmbyllja e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.
“Ka shumë çështje komplekse, por në fund nuk ka asgjë më të mirë se BE-ja”, ka theksuar Rama, raporton TCh.
Gazetarja Maria Tadeo e pyeti Ramën nëse ndryshimet në udhëheqjen e Serbisë mund të sjellin më shumë ndërlikime në raportet e saj me Kosovën dhe Bashkimin Evropian.
Rama theksoi se, sipas tij, Serbia nuk po tregon shenja hapjeje ndaj çështjes së Kosovës.
“Po nuk e ditët ju, ku ta di unë? Po pres që ta mësoj nga Euronews. Ajo që di është se fituesi në Beograd nuk tregon hapje për atë që është çështja më e dashur për mua, që është çështja e Kosovës. Janë tërësisht të mbyllur, çka nënkupton se muzika nuk do të ndryshojë. Unë nuk i jap leksione askujt. Jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është pjesë e plotë e BE-së. Ne këtu dëgjojmë leksione. Serbia është pjesë e rëndësishme e Ballkanit Perëndimor, por gjithmonë kam qenë avokat i faktit që nuk duhet ta lëmë Serbinë të shkojë në drejtimin e gabuar. Por, nëse dëshiron të hysh në BE, duhet të realizosh gjëra në disa aspekte. Serbia ka pasur qëndrim ndryshe jo vetëm për Kosovën, por edhe në lidhje me Rusinë dhe çështje të tjera. Serbia duhet të tregojë rezultate dhe duhet ta meritojë plotësisht këtë përkatësi”, ka pohuar Rama.
I pyetur nëse Mali i Zi mund të anëtarësohet në BE brenda dy vjetësh për shkak të përmasave të tij, si dhe nëse pas tij Shqipëria do të jetë në “pole position” për anëtarësim, Rama tha se gjatë përvojës së tij ka parë shumë afate që nuk janë realizuar, por edhe raste kur BE-ja ka bërë më shumë sesa pritej.
“Nuk jam aq i ri në këtë detyrë dhe kam parë gjëra që nuk do t’i besonit. Shoh afate që janë fashitur rrugës, sesi BE-ja nuk i ka realizuar detyrat e veta, por edhe sesi BE-ja ka bërë më shumë sesa pritej. Nuk i dihet me BE-në. Ne po punojmë fort në një plan të përbashkët për t’i mbyllur negociatat në fund të vitit 2027. Kjo do të jetë thelbësore, sepse tregon se ne e kemi bërë punën tonë”, është përgjigjur Rama.
Kreu i qeverisë Edi Rama, duke folur në Euronews Enlargement Summit, një forum i nivelit të lartë kushtuar zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe perspektivës evropiane të vendeve aspirante për anëtarësim, u shpreh se vendi i tij ka ende probleme, por se qeveria po punon për t’i zgjidhur.
“Kemi probleme dhe po luftojmë që t’i zgjidhim, dhe procesi po na ndihmon ta bëjmë këtë gjë me mjete që nuk do t’i kishim. Nuk ka asnjëherë thelbësisht diçka ndryshe me BE-në, është një martesë ku çdo gjë është e parashikueshme. Kur bëhet fjalë për të marrë më shumë, është e lehtë ta parashikosh, kur ndodh të marrësh më pak, ndonjëherë nuk parashikohet. Ne kemi punuar shumë, kemi dhe ne ato pengesat e brendshme dhe, pavarësisht tyre, jemi siguruar që ekipi ynë të jetë në kohë në Bruksel, me këta burokratë që janë alientë në botën reale, që dinë kaq mirë të të torturojnë dhe të nxjerrin më të mirën. Kështu që zgjedh, nëse i reziston torturës, fiton; nëse jo, shkon për dreq. E kam fjalën në ndjesi”, u shpreh Rama, duke folur më pas për protestat që kanë përfshirë vendin muajt e fundit, me “Flamingot” në fund të majit, dhe me studentët në 13 tetor.
Rama u ndal sërish te bilanci i policëve dhe protestuesve të lënduar, që siç e ka deklaruar edhe më parë, ka pasur më shumë nga radhët e policisë sesa nga protestuesit.

