Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se në Kryeqytet janë mirëpritur investitorë nga Rumania, Siria, Katari, Turqia dhe Libani, në kuadër të një vizite të organizuar nga Strategic Group.
Rama ka thënë se gjatë takimit, së bashku me Drejtorin e Planifikimit Strategjik dhe Zhvillimit Ekonomik, është diskutuar konkretisht për mundësitë e investimit në Prishtinë.
Sipas tij, investitorët kanë shprehur interesim për fusha të ndryshme, përfshirë energjinë, teknologjinë, ndërtimin, turizmin dhe infrastrukturën sportive.
Në takim është diskutuar edhe potenciali që paraqesin përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, të cilat, sipas Ramës, mund të krijojnë mundësi të reja për investime dhe zhvillim ekonomik.
“Prishtina po i hap dyert për investitorë dhe partnerë seriozë ndërkombëtarë. Qytetarët e Kryeqytetit meritojnë investime, vende të reja pune dhe zhvillim”, ka deklaruar Rama.
Ai ka falënderuar Strategic Group për bashkëpunimin, duke theksuar se Prishtina mbetet e hapur dhe mikpritëse ndaj investimeve ndërkombëtare.

