Rama kërkon njohjen e Kosovës në OKB

Rama kërkon njohjen e Kosovës në OKB

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës që mbajti në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, vuri edhe një herë në dukje mikpritjen e popullit shqiptar ndaj hebrenjve në luftën e dytë botërore, si dhe qasjen që shteti ynë pati ndaj afganëve dhe iranianëve të dëbuar nga vendi i tyre.

Rama gjithashtu vlerësoi përpjekjet e 12 viteve të fundit në Ballkanin Perëndimor për paqe mes liderëve politikë.

“Kemi ndërmarrë angazhime të tilla në të shkuarën. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për tolerancë dhe besim. Me tolerancë nuk nënkuptoj vetëkënaqësi, por kërkoj që të shkojmë përtej zonave të rehatisë me respekt. Kjo tolerancë që shqiptarët myslimanë dhe të krishterë shprehën në luftën e dytë ndaj hebrenjve, e bënë Shqipërinë të vetmin vend në Europë me më shumë hebrenj se sa kur lufta nisi. U dhamë strehë refugjatëve iranianë, edhe pse paguam një çmim të madh me një sulm kiberntik që synonte të gjunjëzonte vendin. Ne nuk u lëkundëm dhe nuk do të lëkundemi për aq kohë sa është e nevojshme. Së fundmi i shtrimë dorën Italisë për të lehtësuar vështirësitë në migracion. Në vend të flisnim, ne vepruam dhe nuk qëndruam duarlidhur. Ky solidaritet dhe bashkëpunim është boshti i politikës në vendin tonë”.

Duke u fokusuar në situatën në Ballkan, kryeministri Rama e përshkroi Kosovën si një realitet të pakthyeshëm dhe një pjesë integrale të komunitetit euroatlantik, duke bërë thirrje për njohjen e saj nga të gjitha shtetet.

“Ne duhet të punojmë me durim. Kosova është një pjesë e pandashme e realitetit dhe nuk duhet të mbahet peng nga askush, duke nisur nga 5 shtetet e BE që nuk e njohin Kosovën”

Gjatë fjalës së tij Rama foli edhe për luftën në Ukrainë, ndërsa i bëri thirrje Rusisë që të ndalë këtë agresionin dhe të fokusohet për negociata dhe një paqe të drejtë.

“Një paqe që është disfatë për Ukrainën do të sjellë agresion të fuqishëm. Edhe ne duam paqe, duam që të ketë paqe midis Ukrainës dhe Rusisë. Do mbështesim çdo përpjekje për paqe. Por kërkojmë një paqe të drejtë të mbështetur në kartën e OKB dhe rezolutat e kësaj asambleje. Një paqe që nuk mund të minojë Ukrainën dhe të drejtën e saj. Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë pranë Ukrainës e ta mbështesë atë për sa kohë është e nevojshme”, deklaroi ndër të tjera kryeministri Edi Rama.