
Rama i fton shqiptarët e Athinës të kthehen në atdhe
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u rikthye sërish në Athinë, por këtë të diel me një format të ri.
Së bashku me shumicën e kabinetit qeveritar dhe kryebashkiakët socialistë, ishte i pranishëm në çeljen e Panairit të Punës në kryeqytetin grek, me synimin joshjen e emigrantëve për t’i rikthyer në atdhe me një kontratë pune nga sipërmarrësit shqiptarë.
“Jemi konkurrues në pagat me Greqinë. Por, qeveria është me mision, jo për të gjetur punë, pasi punë gjejmë në panair”, tha Rama, shkruan A2CNN, transmeton Klankosova.tv.
Bizneset në Shqipëri kanë nevojë për punonjës, sipas shefit të qeverisë: “Kemi nevojë për të mbikualifikuar”.
Për këtë takim me emigrantët afro 2 muaj para zgjedhjeve, Rama u mundua ta nënvizonte se nuk kishte ardhur për fushatë elektorale, por nga ana tjetër nuk i shmangu dot premtimet. E para lidhet me integrimin e Shqipërisë, kur, sipas tij, ka ardhur koha që të ulet si i barabartë në një tryezë me Greqinë, pa u paragjykuar siç ka ndodhur ndër vite.
Me shqiptarët e Athinës, Rama ndau edhe akuzat që bëjnë kundërshtarët politik ndaj tij: “Më thonë ik sepse i ka të gjithë ministrat në burg”.
Më i qartë se në Tiranë ishte në kryeqytetin grek për fatin e drejtësisë në Shqipëri: “Nuk do ta prekim pavarësinë e drejtësisë”.
Gjatë fjalimit të tij, plasi edhe syri i keq, siç e cilësoi ai. Moment që e shfrytëzoi për t’i dërguar një mesazh Sali Berishës nga Athina: “Ja, kështu do t’i bjerë syri edhe bufit të kënetës më 11 maj”.
Gjatë kësaj vizite, Kryeministri zhvilloi takim edhe me mësuesit shqiptarë në Greqi, të cilët mbështeten financiarisht për ruajtjen e gjuhës shqipe.