Rama i fton investitorët: Shqipëria ndryshoi shumë, vjet patëm 10 milionë turistë, çmimi i rrymës më i ulëti në rajon

Rama i fton investitorët: Shqipëria ndryshoi shumë, vjet patëm 10 milionë turistë, çmimi i rrymës më i ulëti në rajon

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se Shqipëria ka përparuar shumë. Në samitin e investimeve në Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Londër, ai tha në lidhje direkte se “Shqipëria ka ndryshuar shumë”.

Duke iu përgjigjur pyetjes se pse investitorët duhet të investojnë në Shqipëri, Rama tha se vendi i tij vjet mbërriti shifrën prej 10 milionë turistësh.

“Pse jo? Unë jam veteran i këtyre lloj formateve,sepse kam qenë i pranishëm qysh prej kur ka lindur ky format, para 10 vjetësh. Për 10 vjet kanë ndryshuar shumë gjëra, përveç sasisë dhe ngjyrës së flokëve të mi tash. Rajoni po shkon mirë dhe derisa bota po ashtu po ndryshon, Shqipëria ka ndryshuar shumë. Prej një vendi me stigmën e një vendi të pasigurtë, në një vend i cili vitin e kaluar ka mbërri në një shifër prej 10 milionë turistësh, më shumë se trefishi i popullatës që kemi”, tha Rama.

Ai përmendi resurset e reja energjetike, ndërsa tha se më parë sistemi energjetik i Shqipërisë ishte “gati duke u shkatërruar”, për shkak se, siç tha ai, “shumica e popullatës nuk paguante faturat”.

“Çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri nuk ka ndryshuar fare dhe jemi nën nivelet e rajonit”, tha ai.

Rama tha se borxhi publik i Shqipërisë shënoi rënie historike nën 60% në fund të vitit të kaluar, “pasi që kishte mbërritur majen, gati 80% për shkak të tërmetit tragjik, e po ashtu edhe pandemisë e cila erdhi menjëherë pas tërmetit”.

“Bashkë me vendet tjera të rajonit, jemi një vend i mirë për t’i shtuar investimet serioze. Duhet (të investojnë), sepse nëse s’e bëjnë ata, e bën tjetërkush”, tha kryeministri i Shqipërisë.