
Rama: Askush mbi ligjin, Komuna e Prishtinës ofron bashkëpunim të plotë me drejtësinë
Kryeqyteti ka riafirmuar përkushtimin ndaj sundimit të ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë në Republikën e Kosovës, pas arrestimit të tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës.
Përmes një deklarate, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, theksoi se Komuna do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik.
Reagimi i Ramës në Facebook:
Kryeqyteti riafirmon përkushtimin ndaj sundimit të ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë të Republikës së Kosovës.
Në lidhje me arrestimin e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik.
Në këtë frymë, Kryeqyteti Prishtina mbetet i hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural, në frymë bashkëpunimi dhe me respekt të plotë për organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës.
Askush mbi ligjin!
