Rafuna: Situata në veri, problem për investitorët
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Lulzim Rafuna, ka thënë se Kosova është duke vuajtur për investime të huaja direkte dhe se vendi duhet që të punojë shumë për përmirësimin e ambientit e të bërit biznes.
Ai ka thënë se deklarimet e institucioneve për rritje të investimeve të huaja, janë të pasakta, pasi investimet e huaja janë kryesisht në patundshmëri. Këto investime sipas tij nuk mund të quhen të tilla nëse nuk ka hapje të linjave të prodhimit ose sektorëve të prodhimit, raporton Ekonomia Online.
Kreu i OEK-ut thekson se situata në veri të vendit largojnë investitorët e huaj. Ai konsideron se kontribuues të mungesës së investitorëve janë edhe deklaratat e krerëve institucional për sulm nga Serbia.
“Deshëm apo nuk deshëm, çështjet e hapura që i kemi më Serbinë janë një pengesë. Tensionet në veri, një investitor para se të vije të investoj në Kosovë gjithmonë e bënë një konsultim me zyrtarët e qeverisë se vetë, dhe e matin riskun. E dyta pak i kemi kontribuar edhe ne nëpërmjet deklaratave të institucioneve tona se ne do të sulmohemi nga Serbia, pritet që të sulmohemi nga Serbia këto deklarata për një kohë shumë të gjatë qarkulluan në media, në opinion kjo nuk i ka motivuar investitorët. Ne kemi pasur thirrje telefonike në OEK duke pyetur se a do të ketë luftë në Kosovë, ka qenë një absurd i vete kur Kosova është vend i vetëm në Ballkan i cili i ka trupat e NATO të vendosur”, u shpreh Rafuna.