Qindra punëtorë në marshin protestues, drejtohen kritika për qeverinë
Qindra protestues kanë marrë pjesë në protestën e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, e mbështetur nga sindikata tjera me rastin e 1 Majit – Ditës së Punëtorëve, raporton Ekonomia Online.
Marshi protestues nisi nga Biblioteka Kombëtare, për të vazhduar drejt shesheve të Prishtinës, për t’u ndalur para Qeverisë, ku krerët sindikalistë mbajtën edhe nga një fjalim.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, kërkoi nga Qeveria që të veprojë në mënyrë që të mos siç tha viti 2022, kur u mbajt grevë disamuajshe.
“Qeveri vazhdon t’i ik dialogut dhe prandaj jemi këtu drejtuar Qeverisë qe t’i realizojë kërkesat tonë për t’i parandaluar veprimet tjera sindikale. Kërkojmë nga Qeveria që të veproj e te mos përsëritet viti 2022 që shkaku i heshtjes së tyre na u deshtë të bëjmë veprime sindikale që nuk i kemi dashur”, tha ai.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se kryeministri Albin Kurti i ka gënjyer punëtorët kur ka deklaruar se do t’i rrisë pagat.
Me këtë rast, Azemi ka përmendur edhe ndërtimin e shtëpive në Graçanicë për komunitetin serb, duke thënë se “atje ndërtohen soliterat, e ne nuk kemi një shujtë”.
“Ne mendojmë se kjo qeveri edhe ka kryer punë nuk është se ka kryer por ka kryer punë qysh se dje ndërtoj solitera për të tjerët nuk jemi kundër, por deri sa atje ndërtohen soliterat ne nuk kemi një shujtë. Kryeministri i Kosovës i shpenzon rezervat shtetërore, kryeministri i Kosovës paguan njerëz nga 7 mijë euro nga ambasadat tjera dhe neve nuk na jep as 7 cent. Qeveria me politikat e veta e ka mbyt kapitalin e Kosovës, nëse vazhdon kështu, kryeministrin e Kosovës nuk ka kush të bart me xhipa të zi, se Kosova po zbrazet. Këta njerëz që po dalin, po dalin sepse paga është 170 euro, neve na ka rrejt se ne momentin kur vjen në Qeveri, paga do të jetë 350 euro dhe sot ajo është 170 euro”, tha Azemi.
E kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, tha se prania e tyre në masë të madhe, tregon për fuqinë që e kanë.
Ai i bëri ftesë ekzekutivit që të angazhohet për dialog me sindikatat.
“Prania jonë këtu është dëshmi e besimit tonë në fuqinë e dialogut dhe angazhimit konstruktiv. Jemi mbledhur për të nxitur mirëkuptim për hapa të mëtutjeshëm. Qeverisë i bëjmë ftesë të hapur për t’u angazhuar për dialog. Kërkesat tona lindin nga një dëshirë e përbashkët për punëtorët e arsimit, sektorit privat, dhe gjithë punëtorët në Kosovë”, tha Hykolli.