Qeveria ukrainase shkarkon zëvendësministrin e Mbrojtjes
Zëvendësministri i Mbrojtjes i Ukrainës Oleksandr Pavlyuk, është shkarkuar nga pozita, ka njoftuar Qeveria më 10 shkurt.
Ky është një tjetër vendim i marrë prej autoriteteve ukrainase teksa ristrukturojnë udhëheqësinë, meqë presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky beson se ushtrisë i duhen ndryshime.
Vendimi është bërë i ditur në Telegram prej Taras Melnychukut, përfaqësuesit qeveritar në Parlamentin e Ukrainës, i cili ka thënë se Pavlyuk është transferuar në një tjetër pozitë, por pa dhënë më shumë hollësi.
Melnychuk nuk ka treguar se kush do të emërohet në pozitën që e ka pasur Pavlyuk.
Më 9 shkurt, Zelensky e ka emëruar gjeneralin Anatoliy Barhilevych si udhëheqës të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, pasi e ka emëruar gjeneralin Oleksandr Syrskiy si komandant të përgjithshëm ushtarak.
Zelenskiy e ka përshkruar Barhilevychin si “individ me përvojë, i cili e kupton detyrën e luftës dhe objektivat e luftës”.
Presidenti ukrainas ka thënë, po ashtu, se Syrskiy i ka identifikuar kandidatët për pozitat e ndihmësve të tij, mirëpo nuk ua ka përmendur emrat, vetëm ka thënë se kanë përvojë në ushtri dhe i kanë të qarta nevojat e ushtarëve ukrainas.
Syrskyi konsiderohet arkitekt i fitores më të rëndësishme të Ukrainës në luftë, i kundërofensivës në rajonin lindor të Harkivit, në shtator të vitit 2022, duke i larguar forcat ushtarake ruse prej qyteteve Kupjansk dhe Izjum.