Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka zhvilluar një mbledhje elektronike, në të cilën ka marrë disa vendime dhe ka miratuar kërkesa për transferimin e mjeteve financiare.
Në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar vendimin për caktimin e lartësisë së kompensimit mujor të anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata e Ruajtjes së Energjisë – KRE (Energy Storage Corporation – ESCorp)” Sh.A.
Po ashtu, është miratuar vendimi për dhënien në shfrytëzim të hapësirës në parcelën kadastrale P-9012-0, me sipërfaqe prej 999 metrash katrorë, në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës – Ndërmarrja e Pyjeve në Prizren, për nevojat e Ministrisë së Drejtësisë.
Në kuadër të vendimeve financiare, Qeveria ka miratuar kërkesën e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës për transferimin e 4,333,900 eurove, për furnizim me barna nga Lista e Barnave Esenciale.
Gjithashtu, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme për transferimin e 1 milion eurove, për mbulimin e obligimeve që lidhen me shpenzimet operative.
Qeveria ka miratuar edhe kërkesën e Komunës së Podujevës për transferimin e 300 mijë eurove, për mbulimin e obligimeve kontraktuale.
Ndërkaq, në këtë mbledhje është miratuar edhe vendimi për nominimin e tre përfaqësuesve të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Këshillin Konsultativ për Komunitete.
Në total, vendimet e miratuara për transferimin e mjeteve kapin shumën prej 5.633.900 eurosh.

