
Qeveria në detyrë miratoi një huamarrje prej 10 milionë euro për Telekomin
Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur të mërkurën mbledhje në të cilën ka emëruar Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Kompania Rajonale Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor Sh. A” Prizren me këtë përbërje: Ylber Elshani, kryesues; Agim Muçaj, anëtar; Selvete Xhigoli, anëtare; Sulejman Gashi, anëtar.
Po ashtu ka aprovuar në parim kërkesën për huamarrje në vlerë 10 milionë euro për N. P. “Telekomi i Kosovës Sh. A.”. Kabineti qeveritar ka rialokuar 147 mijë euro për dy projekte kapitale: (1) “Parku i Aventurave” në Komunën e Kamenicës; dhe (2) “Ndërtimi i rrugës Dragancë e re dhe Dragancë e vjetër”, në Komunën e Novobërdës.
Gjithashtu ka miratuar planin e veprimit 2025-2026 për zbatimin e Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Republikën e Kosovës-2022-2026.
Ky plan synon jo vetëm zbatimin e obligimeve tona politike dhe institucionale, por edhe ndërtimin e një shoqërie të barabartë dhe të drejtë, ku komunitetet rom dhe ashkali nuk trajtohen si kategori të veçanta, por si qytetarë me të drejta të plota dhe të garantuara.
Qeveria ka themeluar grupin koordinues për mishngrënësit e mëdhenj: Ariun e murrmë, Rrëqebullin ballkanik dhe ujkun. Ka themeluar grupin intervenues për mishngrënësit e mëdhenj: Ariun e murrmë, Rrëqebullin ballkanik si dhe ujkun.
Qeveria ka aprovuar kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve të transferuara në Buxhetin e Republikës së Kosovës, në ndërmarrjet shoqërore: 651 mijë euro në “NBI Suhareka” dhe 72 mijë euro në “KB Malisheva”.
Ka miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish shoqërore për nevoja të Institucioneve Qendrore të Sigurisë së Republikës së Kosovës në Komunën e Prizrenit dhe Malishevës.
Po ashtu, miratuar nismën për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Nxitjen dhe Mbrojtjen e Ndërsjellë të Investimeve ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Shtetit të Izraelit.
Kjo marrëveshje ka për synim krijimin e një baze të qëndrueshme ligjore për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, duke inkurajuar investimet e ndërsjella dhe duke siguruar një klimë të qëndrueshme, transparente dhe të mbrojtur për investitorët.