Qeveria ndan 219 mijë euro për organizimin e Forumit Ekonomik në Paris
Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka ndryshuar dhe plotësuar vendimin e Qeverisë nr. 06/56 të datës 26 janar 2022, i ndryshuar dhe plotësuar me vendimin e Qeverisë nr. 02/184 të datës 15 janar 2024.
Sipas këtij plotësim-ndryshimi, Gëzim Paci bëhet kryesues i Bordit të Postës së Kosovës.
Gjithashtu, Genc Metaj është emëruar në pozitën e drejtorit ekzekutiv në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.
Kabineti qeveritar ka emëruar Komisionin ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim për Pozitën e Lartë të Kategorisë Drejtuese: Drejtor i Përgjithshëm në Institutin e Kosovës për Administratë Publike.
Në këtë mbledhje janë ndarë 219 000.00 euro për organizimin e Forumit Ekonomik në Paris dhe promovimin e teknologjisë së informacionit me qëllim të tërheqjes së investimeve në kuadër të kësaj fushe përmes organizatave lidere gjatë javës së TIK/ICT.
Po ashtu, është aprovuar Rregullorja për Vlerësimin e Rezultateve në Punë; Rregullorja për Procedurat e Konkurrimit për Nëpunësit Teknikë dhe Mbështetës; Rregullorja për Pezullimin nga Marrëdhënia e Punës; dhe Rregullorja për Përfundimin e Marrëdhënies së Punës në Shërbimin Civil.