“Qeveria mashtroi, varfëroi dhe izoloi një popull të tërë”

“Qeveria mashtroi, varfëroi dhe izoloi një popull të tërë”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur “mashtruese” Qeverinë Kurti në një tubim në Lipjan, duke thënë se për katër vjet, Kosova është varfëruar, mbyllur dhe izoluar.

Abdixhiku ka deklaruar se si shkak i mospunës, Qeveria ua ka rënduar jetën qytetarëve dhe i ka rritur çmimet, duke shkaktuar “ikje masive të njerëzve tanë në Evropë”.

“Po i kalojmë katër vite të vështira për vendin tonë. Katër vite të një qeverie që ka mashtruar me një popull të tërë. Që i ka mbajtur të varfëruar, të mbyllur e të izoluar. Sepse nuk punuan për katër vite, na lanë me jetë të rënduar, çmime të larta, paga të njëjta, me ikje masive të njerëzve tanë nëpër Evropë. Na lanë me shkolla pa rezultat, me spitale të sëmura, me biznese të shtypura e me sistem të korruptuar deri në fyt. Mbi të gjitha, na lanë të vetmuar, pa miq e aleat. Kosova, e përplasur me të gjithë, për katër vite nuk ka marrë asnjë njohje të vetme, asnjë anëtarësim, nuk ka bërë asnjë hap drejt rrugëtimit tonë euroatlantik që ne si LDK e kemi synim orientues e strategjik”, është shprehur Abdixhiku.

Sipas kreut të LDK-së, Qeveria Kurti e ka lënë Kosovën edhe pa aleatë “duke u përplasur me të gjithë e duke mos pasur njohje”. Abdixhiku ka shtuar se katër vitet e ardhshme “do të jenë të mjaftueshme për ta rikthyer Kosovën në rrugë të mbarë”.

“Katër vitet e ardhshme do të jenë të mjaftueshme për të rikthyer këtë fat në rrugën e mbarë, në rrugën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në rrugën e vetme me rezultate historike për Republikën e Kosovës. Do të keni një Kryeministër dhe qeveri që i kupton hallet e juaja. Një kryeministër që ju vjen me rrugë të reja, spitale të reja, centrale me gaz, shkolla me ushqim për fëmijë, stadiume moderne, me gjykata të pa korruptuara, e me qeveri punëtore që synim ka të ardhmen e jo të shkuarën e Kosovës. Më 9 shkurt ne zgjedhim Lidhjen Demokratike të Kosovës, shpresën e fundit të Republikës së Kosovës,” ka shtuar ai.

Ndërsa, kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti ka potencuar se kjo komunë viteve të fundit po ballafaqohet me mungesë të mbështetjes së qeverisë e “po pengohet nga ajo në mos financimin e asnjë projekti të komunës”.

Ahmeti, iu drejtua qytetarëve të kësaj komune, duke u thënë se nuk duhet të heshtin, sepse të njëjtit, sipas tij nuk e meritojnë këtë abuzim e përjashtim nga qeveria aktuale.

“Është shënuar progres i jashtëzakonshëm në të gjitha fushat në të cilat që është përgjegjëse komuna. Ndonëse vitet e fundit të qeverisjes sonë lokale po ballafaqohemi me mungesë të mbështetjes dhe të pengesave më të ndryshme të nivelit qendrorë. Pengesat e qeverisë aktuale mos financimi i asnjë projekti. Na kanë penguar apo s’na kanë ndihmuar për asnjë çerdhe e shkollë për të ndërtuar. Ne nuk duhet të heshtim, Qytetarët e Lipjanit nuk e meritojnë këtë abuzim e përjashtim nga qeveri aktuale. Fitorja e LDK-së, është garanci e vetme për të ardhmen me të mirë të vendit tonë,” ka potencuar Ahmeti.

Zgjedhjet e parlamentare në Kosovë do të mbahen me 9 shkurt 2025.