Qëndro diasporë, mos u dorëzo për interesa të përkohshme politike

Qëndro diasporë, mos u dorëzo për interesa të përkohshme politike

Shkruan: Safet Gërxhaliu

Diaspora është dhe do të mbetet një nga asetet më të çmuara të Kosovës. Vite me radhë kemi thënë se diaspora është shtylla e zhvillimit ekonomik të vendit tonë.
Me mbi 3 miliardë euro remitanca që vijnë çdo vit përmes kanaleve zyrtare dhe shpenzimeve që diaspora bën në Kosovë, është e qartë se pa këtë kontribut jetik, ekonomia e Kosovës nuk do të ishte as afër niveleve aktuale. GDP-ja dhe konsumi për të cilët qeveritë krenohen janë në një masë të madhe meritë e diasporës, dhe shpesh kjo meritë mbetet pa njohjen e duhur.

Por diaspora ka bërë më shumë sesa ka sjellë remitanca. Ka investuar, ka sjellë përvojë, ka transferuar njohuri, dhe ka krijuar partneritete të reja. Përmes promovimit të vendit tonë te investitorët ndërkombëtarë, diaspora ka qenë ambasadorja më e mirë e Kosovës dhe popullit të saj.
Përballë zgjedhjeve të radhës, ju drejtohem sinqerisht: Mos lejoni që partitë politike t’ju shfrytëzojnë si një mjet për pushtet. Analizoni çdo ofertë që ju vjen, vlerësoni me kujdes rezultatet e premtimet e çdo partie. Diaspora ka fuqinë të bëjë diferencën në këto zgjedhje dhe të ndihmojë Kosovën të zgjedhë më të mirën për vendin tonë, popullin tonë dhe ekonominë e tij.
Ne populli i Kosovës Ju falënderojmë për çdo kontribut dhe ju inkurajoj të vazhdoni të mbeteni aseti më i çmuar i Kosovës.