Qalaj i PDK-së: Po të isha Prokuror do ta arrestoja Xhelal Sveçlën

Qalaj i PDK-së: Po të isha Prokuror do ta arrestoja Xhelal Sveçlën

Deputeti i PDK-së dhe ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj ka thënë se po të ishte prokuror, do ta arrestonte Ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Qalaj në “DPT te Fidani”, ka thënë se e ka fjalën rreth hetimeve për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Ish-drejtori i Policisë, ka folur për çështje të ndjeshme, e veprime që thotë ai kanë ardhur prej “mosdijes e budallakisë”, por duke mos thënë më shumë detaje se për çka bëhet fjalë.

“Nuk mund të flas, meqenëse janë shumë sensitive për veprimet qoftë prej mosdijes, qoftë prej budallakisë, qoftë prej popullzimit të Ministrit të Brendshëm, të cilat për mua e kanë dëmtuar shumë rastin. Me qenë prokuror i rastit, as 5 minuta nuk ia kisha falë zotit Sveçla. E kisha arrestuar dhe këdo nga Policia e Kosovës që ka lejuar për do veprime me u bë që nuk u dashtë me u bë”, tha Qalaj.

Cilat veprime, pyetet Qalaj nga moderatori i emisionit, por deputeti i PDK-së refuzon të japë më shumë detaje, duke thënë se do të vijë koha kur do të dalin në shesh.

“S’mund të flas, më flas. Ka edhe të tjera por për momentin nuk mund të flas. Kanë të bëjnë me provat e çështjes së Banjskës. I vjen koha do të dëgjoni, por për momentin nuk mund të flas. Mirëpo, duhet të jemi kujdesshëm për shkak të një popullzimi, për shkak të një dëshire ndoshta me e pa bota çka ka ndodhë, ti bën një veprim që dëmton në krejt rastet”, është shprehur Qalaj.