PZAP refuzon katër ankesat e subjekteve politike për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve

PZAP refuzon katër ankesat e subjekteve politike për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka refuzuar të mërkurën katër ankesa të subjekteve politike në Kosovë lidhur me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka publikuar rezultatin përfundimtar më 15 mars dhe me Ligjin e ri për Zgjedhjet, subjektet politike kanë pasur mundësi që të ankohen brenda 48 orëve, në rast se kanë besuar se u është shkelur ndonjë e drejtë, shkruan Rel.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), parti në pushtet dhe fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, i ka dorëzuar dy ankesa, Partia Demokratike e Kosovës një, dhe koalicioni mes Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizjes për Bashkëveprim (PDAK-LPB) një.

Në ankesat e refuzuara të LVV-së është kërkuar që të anulohen rezultatet e votimit me postë për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidatët e saj, dhe që të bëhet rinumërimi i votave në disa qendra të votimit në Skenderaj, për shkak të dyshimeve për manipulime me vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka mirëpritur vendimin e PZAP-it, duke thënë se “përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të manipuluar dhe delegjitimuar procesin zgjedhor ishin të pabazuara dhe shpërfaqin mosgatishmërinë e tyre për të pranuar vullnetin e mërgatës sonë”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të tolerojë që Vetëvendosje të vazhdojë të përdorë shpifjet dhe manipulimet për të përmbysur vullnetin e qytetarëve dhe për të krijuar një realitet të rremë zgjedhor”, ka thënë kjo parti përmes një postimi në Facebook.

Në ankesën e refuzuar të Partisë Demokratike të Kosovës është kërkuar rishikimi i vendimit të PZAP-it për shqiptimin e një gjobe prej 4.000 eurosh për këtë parti.

Në ankesën e koalicionit mes Partisë Demokratike të Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizjes për Bashkëveprim (PDAK-LPB) është kërkuar që të anulohen 211 votat e partisë politike Partia e Ashkalinjve për Integrim (PAI), të dërguara me postë dhe që rinumërohen votat, më pas që të anulohen disa vota në komunat që nuk kanë fare banorë të komunitet ashkalinj, të anulohen rezultatet e votave në disa shkolla dhe që të urdhërohet KQZ-ja të përsërisë numërimin e votave të diasporës.

Sipas të dhënave përfundimtare të KQZ-së Lëvizja Vetëvendosje (LVV) prin me mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind.