Putini ka fituar një mandat të pestë në pushtet

Putini ka fituar një mandat të pestë në pushtet

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka fituar një mandat të pestë në pushtet, në një proces zgjedhor tejet të kontrolluar, teksa synon të shpërfaqë mbështetjen e popullit për luftën në Ukrainë dhe për politikat gjithnjë e më shtypëse.

Putin, 71-vjeçar – i cili ka udhëhequr si president ose si kryeministër prej vitit 2000 – pritet të tejkalojë udhëheqësinë gati 30-vjeçare të Josef Stalinit, kur ta përfundojë këtë mandat të ri.

Kështu, Putin do të bëhet lideri që ka udhëhequr më së gjati në Rusi në më shumë se dy shekuj.

Pas 99.68 për qind të votave të numëruara, Putin është thënë të ketë fituar 87.32 për qind të votave – shifër rekorde pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Komiteti Qendror Zgjedhor ka thënë që më shumë se 70 për qind e popullsisë e ka shfrytëzuar të drejtën e votës përgjatë tri ditëve të zgjedhjeve.

Votimet e mbajtura më 15-17 mars janë të parat për Putinin, prej nisjes së luftës në Ukrainë, më 2022, e cila ka lënë të vrarë mijëra shtetas rusë, ua ka vështirësuar jetën dhjetëra mijërave tjerëve, dhe i ka shkëputur gati krejtësisht lidhjet me Perëndimin. /Rel