Putin thotë se Rusia pajtohet në parim me propozimin e SHBA-së për armëpushim në Ukrainë

Putin thotë se Rusia pajtohet në parim me propozimin e SHBA-së për armëpushim në Ukrainë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë të enjten se Rusia pajtohet me propozimin e Shteteve të Bashkuara për armëpushim në Ukrainë, por shtoi se ka hollësi të cilat duhet të zgjidhen, si për shembull furnizimi i Kievit me armë perëndimore.

Lideri rus tha gjithashtu se çfarëdo marrëveshje që bëhet duhet të çojë drejt një paqeje afatgjate, që adreson shkaktarët kryesorë të luftës, me gjasë duke iu referuar zgjerimit të NATO-s.

“Ne pajtohemi me propozimin për t’i ndalur luftimet. Por, ne nisemi nga fakti se kjo duhet të çojë drejt një paqeje afatgjate dhe duhet t’i zhdukë shkaqet rrënjësore të kësaj krize”, tha Putin të enjten.

“Ne jemi për [armëpushim], por ka nuanca”, tha Putin gjatë një konference për shtyp në Moskë me liderin bjellorus, Aleksandr Lukashenko, raporton Rel.

Në fillim të kësaj jave, delegacionet nga Kievi dhe Uashingtoni u pajtuan për një armëpushim 30-ditor, i propozuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë një takimi në Arabinë Saudite.