Puna e presidentit Ademi dhe FFK-së po vlerësohet nga UEFA e FIFA

Puna e presidentit Ademi dhe FFK-së po vlerësohet nga UEFA e FIFA

Federata e Futbollit e Kosovës para një jave ka mbajtur Kuvendin e Rregullt të Punës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi.

Në këtë kuvend të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e FIFA-s, Lorenzo Cavallari e Gianni Manco dhe përfaqësuesi i UEFA-s, Denis Bastari.

E nga këta të fundit është vlerësuar puna e presidentit Agim Ademi dhe FFK-së në zhvillimin e futbollit dhe bashkëpunimit mes FFK-së – FIFA-s dhe UEFA-s, shkruan Objektivi.net.

“Edhe pse Kosova mund të jetë më e reja nga shoqatat anëtare të FIFA-s, ne jemi shumë krenarë për marrëdhëniet e shkëlqyera dhe bashkëpunimin e fortë që kemi në të gjitha nivelet, ndërmjet dy institucioneve tona. Ne e dëshmojmë këtë çdo ditë, qoftë përmes përfshirjes së zyrtarëve të FFK-së në një gamë të gjerë seminaresh dhe kursesh të FIFA-s, pranisë së delegacioneve të FFK-së në ngjarjet zyrtare të FIFA-s (përfshirë së shpejti në kongresin e FIFA-s në maj, ku në harkun kohor të disa ditëve ne do të jemi në gjendje të festojmë si 120 vjetorin e FIFA-s ashtu edhe 8 vjet të anëtarësimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA), dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme, bashkëpunimin tonë në kuadrin e programit të zhvillimit kryesor të FIFA-s, FIFA Forward. Ne ishim shumë të kënaqur kur pamë Strategjinë tuaj ‘Themelet e së ardhmes’, ku objektivat tuaja përputheshin me tonat, veçanërisht në drejtim të zhvillimit të infrastrukturës në partneritet me qeverinë. Prandaj, më lejoni që në emër të FIFA-s t’ju përgëzoj për nisjen dhe ju lutem të jeni të sigurt se ne do të jemi këtu pranë jush, së bashku me kolegët nga UEFA, për t’ju mbështetur për zbatimin e kësaj strategjie”, pati deklaruar përfaqësuesi i FIFA-s, Lorenzo Cavallari.

Edhe përfaqësuesi i UEFA-s, Denis Bastari ka theksuar se FFK-ja që nga pranimi në UEFA e FIFA ka bërë progres të madh.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me FFK-në dhe do doja të nënvizoja punën që jemi duke bërë vazhdimisht në infrastrukturë, ku jemi duke investuar në mënyrë konstante në Kampin Nacional në Hajvali dhe në Obiliq, pastaj në selinë e FFK-së, por edhe në shumë fusha me bari artificial dhe natyral në të gjitha rajonet e Kosovës. Jam shumë i lumtur që isha dje në lansimin e strategjisë së re. Uroj që implementimi i saj të shkojë në të njëjtën vijë, sepse do të jetë punë e vështirë, dhe uroj që frytet e kësaj pune të shihen në fund të katër viteve. Jam shumë i lumtur që në Kosovë do të mbani licencën e parë UEFA A të trajnerëve, që vjen pas shumë e shumë viteve bashkëpunimi. Ka qenë një rrugë e vështirë, por ja keni arritur. Uroj që së shpejti të keni edhe Licencën UEFA Pro dhe besoj se do ta keni sepse puna që keni bërë është shumë e mirë. Të gjithë e dimë se keni pasur probleme me fushën në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ por përgëzoj presidentin Ademi që ka ndërmarr hapat e shpejtë për të përmirësuar infrastrukturën në këtë stadium”, kishte deklaruar Bastari.

Federata e Futbollit e Kosovës tashme ka lansuar edhe strategjinë e saj për periudhën 2024 – 2028 nën moton “Themelet e së ardhmes”.

Adam Walker, mentor i strategjisë së FFK-së nga UEFA Grow ka përgëzuar stafin e FFK-së dhe përkushtimin e tyre për të ndërtuar këtë strategji.

“Në secilën fazë të vizitave tona ju më keni sfiduar me vizionin tuaj. Kjo qartësisht tregon se jeni të përkushtuar të testoni ‘status quon’ dhe të gjeni rrugën më të mirë të zhvillimit të futbollit të vendit tuaj. Përveç kësaj ju keni ndërmarrë një vizion të qartë që strategjia juaj të jetë sa më reflektuese. Shpresoj dhe besoj se të gjithë akterët do të shijojnë dhe festojnë shumë suksese që pashmangshëm kjo strategji do t’i sjellë. Puna e vështirë fillon nesër. Derisa krijimi i një strategjie është sfidë, impementimi i saj i përditshëm do të jetë shumë i rëndësishëm. Jam i entuziazmuar që e përfunduam këtë proces dhe tani do të shohim ndikimin e saj në zbatim. Keni një ekip fantastik brenda federatës, të cilët kanë shumë energji për të punuar dhe për të ndërtuar procese”, ka theksuar ai.
Presidenti Ademi i ka të hapura dyert në institucionet më të rëndësishme të sportit.

Ai këto ditë mori pjesë në Kongresin e 48 të UEFA-s në Paris si dhe në 70-vjetorin e themelimit të saj, ku zhvilloi takime me presidentin e UEFA-s, Aleksandër Çeferin dhe presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.

Në takimin me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, presidenti Ademi ka prezantuar projektet e FFK-së që janë nën mbikëqyrjen e FIFA-s, e ku brenda pak ditëve një delegacion i FIFA-s pritet të vizitojë Kosovën për të parë nga afër zhvillimin e projekteve dhe të futbollit në vendin tonë.

Në fillim të shkurtit presidenti Ademi ishte edhe për një vizitë në Tokio, në kuadër të Konferencës së FIFA-s. Ai shfrytëzoi mundësitë për të takuar personalitete të ndryshme të sportit, një ndër ta edhe gjyqtarin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS), Daniel Cravo Souza, me të cilin u dakorduan që në kohën kur e sheh të nevojshme FFK, ai të vijë dhe të mbajë seminar me klubet e Kosovës.

Pra, angazhimi i presidentit Ademi për të zhvilluar futbollin dhe infrastrukturën përcjellëse është i pandalshëm, sado që disa zëra të vëgjël kritikues mundohen të bëhen vuvuzela nëpër kafe e televizione duke mohuar punën e kreut të FFK-së.

Tashme zhvilluesit e futbollit po dihen, e po ashtu edhe penguesit. Për të parët, po flasin ata që janë në majat e FIFA-s dhe UEFA-s, e për të dytit?

Besojmë në ditë më të mira për futbollin e Kosovës.

/Objektivi/