Publikohet hulumtimi: VV e para me 38 përqind, LDK e dyta, PDK e treta
Qendra për Hulumtim dhe Informim Publik, Instituti i Statistikës “Rahmil Nuhiu” dhe Instituti i Ballkanologjisë e kanë bërë një hulumtim, ku respodentët janë pyetur se për kë do të votonin dhe se cilat janë brengat e tyre kryesore.
Në lidhje me këtë hulumtim, sonte në “Edicionin Special” në Klan Kosova ka folur udhëheqësi i këtij projekti hulumtues, Ardit Bobaj, i cili është shprehur se qëllimi i hulumtimit ka qenë të dihet opinioni i qytetarëve mbi qeverisjen aktuale të Kosovës, por edhe të partive opozitare.
“Qëllimi i kësaj ankete ka qenë të dihet opinioni i qytetarëve mbi qeverisjen aktuale të Republikës së Kosovës, se sa ata janë të kënaqur me punën e kësaj qeveria dhe gjithashtu të dihet opinioni i qytetarëve edhe mbi partitë rivale të kësaj qeverie”.
“Opinioni i qytetarëve ka qenë tejet negativ sipas rezultateve, ata kanë shprehur një pakënaqësi të madhe sa i përketë pritshmërive të kësaj qeverie dhe premtimeve të cilat ajo i ka bërë gjatë fushatës së saj zgjedhore”, është shprehur Bobaj.
Qytetarët përmes këtij hulumti kanë treguar edhe se për cilin subjekt politik ose koalicion do të votonin, nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin këtë të diel.
Rezultatet e hulumtimit thonë se VV-ja është e para me 38.07 përqind, LDK-ja e dyta me 18.22 përqind dhe PDK-ja e treta me 17.19 përqind, përcjell Klankosova.tv.
“Rezultatet të cilat i kemi nxjerrë nga kjo anketë nuk kanë qenë të pritshme për Lëvizjen Vetëvendosje e cila ka pasur dukshëm një rënie besueshmërie nga respodentët që i janë nënshtruar kësaj ankete me 38.07 përqind, LDK-ja e dyta me 18.22 përqind dhe PDK-ja me 17.19 përqind”, është shprehur ai.