PSD-ja e Dardan Molliqajt nuk garon në zgjedhjet e 9 shkurtit

PSD-ja e Dardan Molliqajt nuk garon në zgjedhjet e 9 shkurtit

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka bërë me dije se më 6 tetor, partia që drejton ka mbajtur mbledhjen e rregullt të Këshillit Drejtues.

Ai ka thënë se midis diskutimeve të situatës politike kanë vendosur edhe për hapat e ardhshëm të veprimit politik, duke mos marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Molliqaj ka thënë se do të jenë prezent në ambientin politik e elektoral që e pret Kosovën.

“Kësaj here jo përmes kandidaturës, por përmes aksionit dhe fjalës. Qartazi, alternatives politike që përfaqëson PSD-ja, nuk e ka mbështetjen e duhur për përfaqësim në Kuvend. Kështu, kemi vendosur ta refuzojmë rrugën e dobët të koalicioneve ku bindjet do të na lakoheshin, por edhe fatin që na e paracakton probabiliteti që gjithsesi është brenda popullizmit të këtij momenti. Kosova rrezikohet prej popullizmit me prirje autoritare të partisë në pushtet. Por përgjigja për këtë regjim politik e diskursiv nuk është ‘djali i mirë’ e ‘normal’ me higjienën e fjalorit politikisht korrekt. Ky opsion, nën petkun e racionalitetit, edhe në Kosovë si gjithkund tjetër, përfaqëson pushtetet e kaluara ku ligjin e bënte kapitalizmi grabitqar. Në vend të votës, duam të japim shembull aktivizmi. Shpresa që duam të ndërtojmë është kalitja që ta sjell veprimi yt, dhe jo faktorët nga jashtë. Fluska e aktivitetit opozitar duhet të bëhet mësim. Kështu do të ndërtohet një trajektore tjetër, me notat e momentet e veta, edhe përtej edhe përkundër kohës e hapësirës së këtij pushteti”, ka thënë Molliqaj.