Prokuroria zbulon detaje për operacionin “Patenta”: Për disa muaj pati hetim të fshehtë

Prokuroria zbulon detaje për operacionin “Patenta”: Për disa muaj pati hetim të fshehtë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje të reja për operacionin “Patenta” që u zhvillua sot në dhjetë lokacione të ndryshme në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë.

Në njoftimin e lëshuar nga prokuroria thuhet se dhjetë persona janë ndalur për 48-orë, gjatë ditës policia sot ka pohuar se janë arrestuar 11 të dyshuar, por njëri prej tyre është liruar, transmeton klankosova.tv.

Për të njëjtin rast, prokuroria shton se personat e ndaluar janë zyrtarë publikë të cilët dyshohen se me qëllim që kandidatët të pajisen me patentë shofer kanë kërkuar para ryshfet, gjatë së cilës u kanë mundësuar atyre të pajisen me patentë shofer në mënyrë të kundërligjshme.

“Me kërkesë të prokurorit të shtetit, dhe me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake për disa muaj janë zbatuar masat e fshehta të hetimit. Ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa brenda afatit ligjor, prokurori i shtetit do të parashtron kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve”, thuhet në njoftim të prokurorisë.

Ndër tjera, gjatë aksionit të zhvilluar janë sekuestruar disa prova materiale: armë (kallashnikovë), armë gjuetie, municione, para, telefona celular dhe shtëpiza të kompjuterëve.

Të dyshuarit akuzohen për veprat penale si “Ushtrimi i ndikimit”, “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.