Prokuroria ngre aktakuzë kundër një të dyshuari për krime lufte në Kosovë

Prokuroria ngre aktakuzë kundër një të dyshuari për krime lufte në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër një të dyshuari për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë më 1998-99.

Prokuroria e akuzon të dyshuarin M. P., i cili ka shtetësi të dyfishtë serbe dhe kosovare, për pjesëmarrje në vrasjen e tre civilëve në një lagje në Prizren në vitin 1998.

“I pandehuri akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, rreth datës 1 shtator 1998, në afërsi të Lagjes ‘Hoqa Mahalla’, në Prizren, ka marrë pjesë në vrasjen e viktimave Reshat Daçaj, Binak Daçaj, Fatmir Bojaxhiu”, thuhet në njoftim.

Prokuroria e ngarkon atë me veprën penale “krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

I dyshuari po mbahet në paraburgim deri në një vendim të ri nga gjykata, thuhet në njoftim.