Prokuroria kërkon rikthimin e çështjes ndaj ish-presidentit Trump për dokumentet e klasifikuara

Prokuroria kërkon rikthimin e çështjes ndaj ish-presidentit Trump për dokumentet e klasifikuara

Prokurori i posaçëm Jack Smith i ka kërkuar një gjykate federale të apelit të rikthejë çështjen penale që akuzon ish-presidentin Donald Trump për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara, pasi një gjykatë më e ulët e rrëzoi këtë padi në korrik.

Në kërkesën e paraqitur në gjykatë, prokurori Smith dhe ekipi i tij i kërkojnë Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara me seli në Atlanta, që ka juridiksionin për Qarkun e 11-të, të anulojë vendimin e 15 korrikut të dhënë nga gjyqtarja Aileen Cannon, ku ajo arriti në përfundimin se prokurori Smith ishte emëruar në mënyrë të paligjshme dhe se nuk kishte autoritetin ligjor për ngritjen e padisë.

“Kongresi i ka dhënë Prokurorit të Përgjithshëm, ashtu si drejtuesve të shumë departamenteve të ekzekutivit, autoritet të gjerë për të strukturuar agjencinë që ai drejton për të ushtruar përgjegjësitë e vendosura mbi të me ligj”, shkruhet në kërkesën e prokurorisë, për të shtuar tutje:

“Pikëpamja e kundërt e gjykatës së rrethit bie ndesh me një kurs ndryshe të pandërprerë vendimesh, përfshirë nga Gjykata e Lartë, se Prokurori i Përgjithshëm e ka një autoritet të tillë dhe është në kundërshtim me praktikat e gjera dhe të hershme të emërimeve në Departamentin e Drejtësisë dhe në të gjithë qeverinë”.

Departamenti i Drejtësisë ishte shprehur më parë se kishte në plan ta apelonte vendimin e gjykatëses.

Në kërkesën e së hënës, zyra e prokurorit Smith i kërkoi gjithashtu gjykatës së apelit të caktojë një datë për paraqitjen e argumenteve verbale.

Gjykatësja Cannon, e emëruar në këtë detyrë nga ish-Presidenti Trump, ishte shprehur se vendimi i prokurorit të përgjithshëm Merrick Garland për të emëruar prokurorin e posaçëm Smith në vitin 2022 shkelte Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.

Ajo gjithashtu vendosi se buxheti i zyrës së tij, që financohet nga një fond i pacaktuar, ishte i paligjshëm.

Avokatët e ish-presidentit Trump patën kundërshtuar më parë autoritetin ligjor për emërimin e prokurorit Smith, duke argumentuar se zyra e prokurorit Smith nuk ishte krijuar nga Kongresi dhe ai nuk ishte konfirmuar nga Senati si prokuror i posaçëm.

Ekipi elektoral i ish-presidentit Trump tha se gjykata duhet ta refuzojë kërkesën e prokurorit Smith dhe se duhet të pushohen çështjet e tjera me të cilat përballet ish-presidenti.