Prokuroria i kërkon Gjykatës ta urdhërojë Kurtin të paraqitet si dëshmitar në rastin e rezervave

Prokuroria i kërkon Gjykatës ta urdhërojë Kurtin të paraqitet si dëshmitar në rastin e rezervave

Prokuroria Speciale i ka bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë ta urdhërojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të paraqitet në Prokurori në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, pasi Kurti kishte refuzuar dy ftesat e mëparshme.

Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kërkesa është pranuar dhe se ajo “është duke u shqyrtuar nga gjykata”.

Në Kodin e Procedurës Penale thuhet se një gjyqtar, sipas detyrës zyrtare, apo me kërkesë të Prokurorit të Shtetit, mund ta detyrojë një dëshmitar që të paraqitet.

Nëse ai nuk paraqitet në Prokurori, gjyqtari e dënon atë me gjobë prej 250 eurosh, sa herë që ai refuzon. Por, nëse ka refuzim edhe pas shqiptimit të gjobave, ai mund të burgoset, por jo më shumë se një muaj.

“Burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se një muaj”, thuhet në Kodin Penal të Kosovës.

Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur në kërkesën e REL-it për koment ndaj kësaj kërkese të Prokurorisë Speciale.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e kishte ftuar Kurtin të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Kurti kishte refuzuar të paraqitej në Prokurori, duke u bërë thirrje prokurorëve që të shkojnë ata dhe ta intervistojnë në zyrën e tij, në Kryeministri.