Prokuroria e Shkupit kërkon fletarrestim ndërkombëtar për Artan Grubin

Prokuroria e Shkupit kërkon fletarrestim ndërkombëtar për Artan Grubin

Prokurorët kanë kërkuar fletarrestime ndërkombëtare për ish-zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubin, dhe ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, të cilët janë duke u hetuar në një rast për përvetësim të pasurisë së paligjshme.

Kërkesa e prokurorëve vjen pasi Gjykata Themelore e Shkupit urdhëroi 30 ditë paraburgim për Grubin dhe Bajramin.

Prokurorët besojnë se Grubi dhe Bajrami janë të “pakapshëm për autoritetet” në lidhje me hetimet në fjalë, pasi besohet se ata janë larguar nga vendi, raporton Rel.

Prokuroria Themelore Publike në Shkup tha në një komunikatë se do t’i kërkojë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut publikimin e fletarrestimeve kombëtare dhe një deklaratë për lëshimin e fletarrestimeve ndërkombëtare për Grubin dhe Bajramin.

Sipas Prokurorisë, Grubi, si i dyshuar i dytë në këtë rast, akuzohet se ka lehtësuar një procedurë të paligjshme për furnizimin me terminale (VLT), pavarësisht njohurive se Lotaria Shtetërore nuk kishte të drejtë të organizonte në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit, brenda territorit të Maqedonisë së Veriut.

Sipas Prokurorisë, dëmi i shkaktuar në Lotarinë Shtetërore kap vlerën e rreth 8.2 milionë eurove.