Prokuroria e Bosnjës lëshon urdhër për ndalimin e Dodikut

Prokuroria e Bosnjës lëshon urdhër për ndalimin e Dodikut

Zyra e Prokurorit të Bosnje e Hercegovinës i ka lëshuar urdhër policisë për ndalimin e presidentit të Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, kryeministrit Radovan Vishkoviq dhe kryetarit të Paralmentit të këtij entiteti, Nenad Stevandiq, me qëllim që të merren në pyetje, është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë.

Urdhri për ndalimin e Dodikut, Vishkoviqit dhe Stevandiqit u lëshua nga prokurori i Prokurorisë së Bosnjës, Çazim Hasanpahiq.

Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të “sulmit ndaj rendit kushtetues”.

Njoftimi vjen në ditën kur autoritetet në Republikën Sërpska planifikojnë që entitetin në Bosnje e Hercegovinë ta përcaktojnë si shtet të popullit serb, t’i japin të drejtën për vetëvendosje, të krijojnë ushtrinë e vet dhe të heqin Këshillin e Popujve, sipas një drafti të ri të Kushtetutës të Republikës Sërpska, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë. Këto ndryshime bien ndesh me Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës.

Ligji për procedurën penale i Bosnje dhe Hercegovinës parashikon mundësinë e lëshimit të urdhrit për sjellje të detyruar për dhënien e dëshmisë, në rast se personi i thirrur në institucionet gjyqësore refuzon ta bëjë këtë.