
Programet partiake pa qasje gjithëpërfshirëse për qeverisje të mirë dhe sundim të ligjit
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin krahasues dhe analizues mbi programet politike të partive kryesore pjesëmarrëse në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, me fokus në qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit.
Qëllimi i këtij raporti është të vlerësojë se në çfarë mase dhe në çfarë mënyre programet politike adresojnë çështjet kyçe që ndërlidhen me qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit, duke ofruar një pasqyrë objektive dhe të matshme për qytetarët që do të votojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Raporti nuk vlerëson oportunitetin apo përshtatshmërinë politike të masave të propozuara, por fokusohet ekskluzivisht në shtrirjen, nivelin e elaborimit dhe strukturimin e angazhimeve programore, në raport me indikatorët e paracaktuar dhe të aplikuar në mënyrë uniforme në raport me programet e katër (4) partive politike.
Indikatorët janë ndërtuar mbi bazën e parimeve të qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit si dhe problemeve të identifikuara ndër vite përmes raporteve vendore, ndërkombëtare, raportet dhe analizat e IKD etj.
Gjatë prezantimit të raportit u theksua se asnjë nga programet politike të partive pjesëmarrëse nuk ofron një qasje gjithëpërfshirëse, të strukturuar dhe të matshme për avancimin e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit.
Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala, ka thënë se raporti nuk vlerëson përshtatshmërinë politike apo adekuatshmërinë e zgjidhjeve të propozuara nga partitë, por fokusohet në nivelin e elaborimit, strukturimit dhe konkretizimit të angazhimeve programore.
“Vlerësimi është bërë mbi një metodologji të njëjtë dhe uniforme për të gjitha programet politike”, ka potencuar Shala, duke shtuar se raporti analizon se sa masat e propozuara janë të prezantuara në mënyrë të qartë, të strukturuara, të buxhetuara dhe të përcaktuara me afate kohore.
Sipas tij, vlerësimi është realizuar përmes dhjetë indikatorëve, të ndarë në dy shtylla kryesore: qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit. Në kuadër të qeverisjes së mirë janë vlerësuar barazia gjinore, transparenca dhe llogaridhënia, depolitizimi i administratës publike, dixhitalizimi dhe pavarësia e mediave. Ndërsa, indikatorët që lidhen me sundimin e ligjit përfshijnë reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, integritetin në fushën e prokurimit publik, vettingun në drejtësi dhe të drejtat e njeriut.
“Rezultatet e vlerësimit tregojnë se asnjë nga programet politike nuk ofron një qasje gjithëpërfshirëse, të strukturuar dhe të matshme për avancimin e qeverisjes së mirë dhe sundimit të ligjit”, ka deklaruar Shala, duke shtuar se në shumicën e rasteve angazhimet mbesin në nivel të përgjithshëm ose deklarativ, pa masa konkrete dhe pa afate kohore.
Ai ka theksuar se gjetjet në fushën e sundimit të ligjit janë veçanërisht shqetësuese, pasi programet nuk ofrojnë vizione të qarta për reformën në sistemin e drejtësisë, ndërsa vettingu në drejtësi nuk përmendet në programet e asnjërës nga katër partitë më të mëdha.
Sa i përket poentimit të përgjithshëm, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë vlerësimin më të lartë me 13 pikë nga 50 të mundshme, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 11 pikë, Lëvizja Vetëvendosje! (LV) me 9 pikë, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e fundit me 6 pikë.
