
Prodhuesit vendor ankohen për mos përkrahje nga shteti
Prodhuesit vendor në Kosovë janë ankuar për mungesë të përkrahjes nga ana e qeverisë. Të njëjtit, kanë kërkuar nga shteti që t’i marrë më shumë parasysh prodhuesit vendor dhe t’i stimulojë me masa më të favorshme.
Përfaqësues të bizneseve kanë theksuar se ka rritje të prodhimit në vend, mirëpo jo edhe mbështetje ekzekutivi. Stimulimi me subvencione, apo masa të tjera është duke munguar nga ana e qeverisë tek prodhuesit vendor.
Menaxheri i fabrikës për prodhimin e transformatorëve, Andi Selimi derisa ka konsideruar se këto panaire janë të rëndësishme për të promovuar biznesin e tyre dhe shkëmbyer ide me të tjerët, është shprehur se presin më shumë ndihmë nga qeveria.
Madje, në disa raste, ai thotë se po harrohen nga vet shteti, duke përmendur këtu një grant nga Ministria e Industrisë, Tregtisë, dhe Ndërmarrësisë, të cilët nuk kanë mundur të marrin pjesë për shkak të kodit. “Ne jemi prodhuesit e vetëm në Kosovë që prodhojmë transformator. Fabrikën e kemi në Janjevë. Mbështetje të qeverisë nuk është se kemi pas diçka konkrete. Kemi marrë pjesë në disa grante, mirëpo nuk është se kemi pasur ndonjë përkrahje të drejtpërdrejt nga qeveria”, ka thënë ai.
Se duhet të ndihmohen më shumë bizneset e thotë edhe përfaqësues i një kompanie me shirita ngjitës në Kosovë, i cili prodhon mbi 50 lloje të shiritave dhe ngjitës, Martir Demiri.
Madje, ai thotë se sfidë është edhe mungesa e fuqisë punëtore pas liberalizimit të vizave. “Ne kemi filluar vitin e kaluar me prodhim, sivjet shihet se ka rritje dukshëm të kërkesave dhe klientëve. Sigurisht se duhet të përkrahet prodhuesi vendor, në mënyrë që të mundemi edhe ne t’i kontribuojmë vendit tonë. Eksportojmë në Itali, Francë, Gjermani dhe Zvicër”, ka thënë Demiri. (kp)