Problemet me energji elektrike po vazhdojnë edhe më 2025 (VIDEO)

Problemet me energji elektrike po vazhdojnë edhe më 2025 (VIDEO)

Problemet e qytetarëve të Kosovës me furnizim me energji elektrike, po vazhdojnë edhe më 2025-tën.

Telashet nisën javëve të fundit të vitit që lamë, duke mbetur komuna të tëra në terr.

Në Klankosova.tv, ankesat e qytetarëve për mungesë të energjisë elektrike, apo edhe për tension të ulët, po vijnë vazhdimisht.

Të premten, me mungesë rryme po përballen qytetarët e Vitisë. Për këtë çështje, një banor i atjeshëm ka thënë se kanë protestuar sot para Zyrës së KEDS-it.

Edhe vushtrriasit e rrugës “Jeton Tërstena” raportohet të kenë tash e dy javë probleme me furnizim me energji elektrike. Këtë e ka thënë një banor i asaj zone për Klankosova.tv.

Ai ka pohuar se shtyllat lartpërçuese kanë energji elektrike, por që ajo nuk po u shkon nëpër shtëpi.

Edhe banorë të rrethit të Prishtinës janë ankuar për tension të ulët të energjisë elektrike. Nga fshati Besi i kryeqytetit është raportuar se tensioni është tejet jostabil, gjë që i ka detyruar shumë nga ta të investojnë në stabilizatorë rryme për t’i shpëtuar pajisjet elektrike shtëpiake nga prishja. /Klankosova.tv