Prizrenin po e vizitojnë turistë nga Korea, Kina e Japonia
Kalaja e Prizrenit, Lidhja e Prizrenit, Shatërvani, Objektet e Kultit, janë vetëm disa nga vendet në qytetin e Prizrenit që sjellin qindra mijëra vizitorë nga rajoni dhe bota gjatë vitit. I njohur si vend turistik, ky qytet po arrin të sjellë turistë nga vende të ndryshme të botës në Kosovë, thotë kryetari i kësaj komune, Shaqir Totaj.
Ai për KosovaPress thotë se ka rritje ndër vite të numrit të turistëve, shton se janë duke punuar për të promovuar sa më shumë turizmin kulturor që e karakterizon këtë qytet. Megjithatë, ai kritikon qeverinë për mungesë të bashkëpunimit, pasi siç thotë ai, nuk ka përkrahje të mjaftueshme për turizëm. Ai po ashtu thotë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit investon kryesisht vetëm në rivitalizimin e objekteve dhe jo në pjesë tjera.
Totaj vlerëson se promovimi i turizmit kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit, porse thotë se për këtë nevojiten fonde nga ana e ekzekutivit.
“Po e shohim trendin e rritjes së vazhdueshme dhe kësaj rritje (vizitorëve) normal që më së shumti i ndihmon atraktiviteti i qytetit, vlerat e trashëguara kulturore-historike, por njëkohësisht edhe puna e qeverisjes lokale e ka rëndësinë e vet, për shkak se promovimi i turizmit në një farë mënyrë i kontribuon rritjes e popullaritetit të qytetit e njëkohësisht i kontribuon edhe zhvillimit ekonomik, sepse turizmi është një komponent shumë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik. Ka trende pozitive, ka shumë turizëm kulturor që lidhet me numrin e madh të festivaleve që mbahen në korrik dhe gusht sidomos. Komuna po bënë më tepër, sepse kemi plane tjera për promovim të zhvillimit të turizmit rural në fshatra, e dimë çfarë dhe si duhet bërë, por për gjitha këto, nevojitet kohë dhe fonde. Dhe sikur ta kishim pas një përkrahje më të madhe prej qeverise qendrore, besoj se kishim pas mundësi me arrit rezultate edhe më të mira…02:00 Nuk e kemi përkrahjen e mjaftueshme për turizëm. MKRS investon kryesisht vetëm në rivitalizimin e objekteve, kurse pjesë tjera më pak investojnë, nuk e kemi një bashkëpunim çfarë kisha dashtë me pas”, deklaron Totaj.
Derisa rendit vendet që frekuentohen më së shumti nga vizitorët, ai thotë se gjatë sezonit të verës vinë turistë edhe nga vendet e largëta, siç janë Japonia, Kina e Koreja.
“Prizreni është një qytet atraktiv turistik së pari për qytetarët e Kosovës, komunat tjera për vikende vinë, më pas vinë prej Shqipërisë shumë, por vinë edhe prej shteteve evropiane, kurse verës ka që vinë edhe prej vendeve të largëta sikur është Japonia, Kina, Koreja. Është njëfarë strukture mikse e turistëve e cila në një mënyrë e promovon jo vetëm vlerën e qytetit tonë, por komplet kulturën tonë kombëtare e cila përveç atyre veprimeve nga këndvështrimi turistik e kemi atë mikpritjen tradicionale shqiptare. Po ashtu i tërheq edhe diversiteti i qytetit të Prizrenit, numri i madh i gjuhëve që flitet, besimet, religjionet dhe fakti që gjitha këto zhvillohen me një qytet dhe nuk ka probleme as tensione ndëretnike….03:42 Në rend të parë, Lidhja e Prizrenit që është një histori për gjithë kombin shqiptar, Kalaja e Prizrenit, Sahat Kulla, Xhamia e Sinan Pashës, Kishën Katolike e kështu me radhë. Ka shumë gjëra që janë atraktive dhe janë interesante për vizitorët të cilët çdo vit e më tepër vinë në numër më të madh”, thotë Totaj.
Se Prizreni po vizitohet nga qindra e mijëra turistë e thotë edhe Veron Tara, nga organizata “EDUCO”, e cila merret me promovimin e turizmit. Madje, ai vlerëson se numri më i madh i vizitorëve që ka pasur ndonjëherë ky qytet ka qenë vitin e kaluar.
Tara thotë se në mesin e shteteve që kanë vizituar Prizrenin, kishte prej tyre që kanë qenë për herë të parë në Kosovë.
“Marrë parasysh që Prizreni njihet si një qytet turistik, pasi ka edhe qendrën historike, shquhet si qytet historik dhe kulturor. Duke filluar nga vet qytetarët që janë shumë mikpritës, presin vizitorët në mënyrën më të mirë të mundshme, por nuk duhet harruar edhe festivalet që kemi që bien shumë turistë…Prizreni ka turist prej gjithë botës, vitin e kaluar ka qenë kulmi i turizmit në Prizren pasi që kemi pas prej Zelandës, Australisë, Amerikës, prej shteteve që jo ndonjëherë janë vizituar në Prizren, por vitin e kaluar vetëm kanë filluar Prizreni me u njoftua edhe me kultura tjera jashtë e Ballkanit, Evropës apo edhe Amerikës. Pasi janë heq edhe vizat, edhe qytetarët e Kosovës në përgjithësi kanë filluar t’i vizitojnë vendet tjera të Evropës dhe t’i krahasojnë kulturën tonë me atë të Evropës apo kulturat tjera që ekzistojnë në botë, por në përgjithësi, Prizreni ofron prej aspektit arkitekturor, kulturës, ushqimit, muzikës, por edhe thjesht atmosfera e Prizrenit që e bënë një qytet me atmosferë të mirë dhe të vizitueshëm”, thotë Tara.
Tara ka renditur edhe disa nga karakteristikat që tërheqin vizitorët për të ardhur në këtë qytet të bukur.
“Ushqimi për ata është shumë karakteristikë, sidomos në Prizren që ka llojllojshmëri të tyre, Kalaja është një prej destinacioneve që ata e parapëlqejnë më së shumti. Nuk mund të themi që kemi jetë të natës, por e kemi atë karakteristikë, pasi i kemi çajtoret, disa kafe të vogla që e bëjnë një atmosfere të këndshme. Por, specifikisht ka ndodhë që vinë vetëm për Lidhjen e Prizrenit, sepse e dinë që është një prej fakteve që nuk ka ndodhë diku tjetër në botë, përveçse në Prizren të bëhen disa vilajete bashkë dhe me krijua një shtet të ri. Por, në përgjithësi, Shatërvani dhe disa pjesë tjera të qytetit që ofrojnë shumë e shumë…Sidomos ‘Doku fest’ është një prej festivaleve që sjell me dhjetëra mijëra turist vizitor”, përfundoi Tara.