Prishtina synon ta ndal dominimin e Ballkanit, e do titullin kampion
Që nga shpallja kampion në edicionin 2020/2021, klubi më i trofeshëm i futbollit vendor, nuk arriti më të konkurojë për titull.
Pas dominimit tre vjeçar të Ballkanit, duket se Prishtina po bëhet gati që ta luftojë fuqishëm ekipin suharekas, sikurse edhe konkurentët tjerë në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll.
Drejtori i Përgjithshëm i skuadrës nga kryeqyteti, Artan Osmani, besimin se kjo do të ndodh e ka te trajneri i ri dhe përforcimet e ekipit.
“Të gjitha prurjet janë bërë në koordinim me trajnerin, sepse është e pamundur do të thotë, cilido opsion tjetër e vë në rrezik pastaj edhe performancën e lojtarit. Një pjesë të tyre trajneri e ka rekomanduar, ndërsa pjesa tjetër është marrë nga ana e skautëve tanë, drejtorit sportiv e të tjerë. Praktikisht ne do të jemi në luftë për titull, nëse gjithçka shkon sipas planifikimeve sepse në futboll ky topi i rrumbullakët na është bërë si ëndërr e keqe sepse çdo dështim arsyetohet me topin e rrumbullakët”.
Prishtina ka fituar plot tetë herë titullin kampion në Kosovën e pasluftës dhe tre herë tjera pas vitit 1991, kur u krijua Federata e Futbollit të Kosovës, në kohën e okupimit, njofton klankosova.tv
Megjithatë në tre sezonet e fundit, e ka mbyllur kampionatin në vendin e pestë, pa mundësi që të luftojë për kreun e tabeles.